AKTUALITET /

Rihapet dosja e ekzekutimit të Hekuran Billës / Apeli, rikthen në gjyq Viktor Markun dhe nipin e tij

Dyshime për shkelje në hetim dhe “tradhti” nga zyrtarë të policisë e shërbimeve sekrete në sistemin TIMS

Shkruar nga Versus

Rihapet dosja e ekzekutimit të Hekuran Billës / Apeli, rikthen në

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka vendosur të prishë vendimin për pushimin e çështjes së vrasjes së Hekuran Billës dhe ta rikthejë dosjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës.

Pak muaj më parë, me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Tiranës kishte pushuar akuzat ndaj Viktor Markut dhe nipit të tij, Sebastian Mali, të dyshuar si organizatorë të ekzekutimit të 40-vjeçarit për motive gjakmarrjeje, me argumentin e mungesës së provave.

Por Apeli ka konstatuar shkelje në proces dhe ka urdhëruar që dosja të shqyrtohet nga e para nga një tjetër trupë gjykuese.

Hekuran Billa u ekzekutua mbrëmjen e 11 qershorit 2020 pranë zonës së Komunës së Parisit në Tiranë, teksa ndodhej brenda automjetit të tij luksoz, vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga Belgjika.

Ai ishte dënuar më herët në Britaninë e Madhe për vrasjen e Prelë Markut, ndërsa pas ekstradimit në Shqipëri kishte vuajtur dënimin në burgun e Fushë-Krujës dhe ishte liruar me kusht pak para atentatit fatal.

Sipas hetimeve, Viktor Marku, vëllai i viktimës së vrarë në Angli, dhe nipi i tij Sebastian Mali dyshohen si autorët kryesorë të hakmarrjes. Marku u arrestua në Mal të Zi pas krimit dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë.

Dosja e vrasjes së Billës është shoqëruar që në fillim me dyshime të forta për ndërhyrje dhe rrjedhje informacioni nga brenda institucioneve shtetërore. Emisioni “Shënjestër” zbuloi se tetë efektivë policie dhe dy zyrtarë të shërbimeve sekrete kishin hyrë në sistemin TIMS për të kontrolluar lëvizjet e Billës jashtë vendit, duke ngritur dyshime se ai mund të jetë “tradhtuar” tek autorët e atentatit.

Sipas raportimeve, Prokuroria nuk kishte hetuar lidhjet e mundshme mes këtyre zyrtarëve dhe të dyshuarve për vrasjen, një element që tashmë pritet të rikthehet në fokus me rihapjen e çështjes.

Poll