AKTUALITET /

Rihapet për qarkullim aksi Librazhd–Prrenjas pas rrëshqitjes së masivit shkëmbor

Falë ndërhyrjes së menjëhershme me mjete të rënda dhe angazhimit të ekipeve në terren, u bë i mundur pastrimi i plotë i aksit dhe rifillimi i qarkullimit në të dy drejtimet.

Shkruar nga Versus

Rihapet për qarkullim aksi Librazhd–Prrenjas pas rrëshqitjes

Pas rreth shtatë orësh pune intensive, segmenti i bllokuar i rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas është hapur sërish për qarkullim. Rruga u mbyll përkohësisht pasi një masiv shkëmbor rrëshqiti nga shpati i kodrës, duke sjellë qindra metra kub gurë dhe dhe mbi trasenë.

Shpati ku ndodhi rrëshqitja është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të ri të rrugës, në kuadër të Koridorit VIII, ku aktualisht po operon kompania “ANK” sh.p.k.

Sipas kreut të ARRSH, rrëshqitja ndodhi për shkak të mbingopjes së malit nga uji. Falë ndërhyrjes së menjëhershme me mjete të rënda dhe angazhimit të ekipeve në terren, u bë i mundur pastrimi i plotë i aksit dhe rifillimi i qarkullimit në të dy drejtimet.

Autoritetet rrugore u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë zonë, të respektojnë sinjalistikën dhe paralajmërimet, veçanërisht në segmentet ku vijojnë punimet.

Hapja e rrugës siguron rikthimin e qarkullimit normal në këtë aks të rëndësishëm lidhës mes Librazhdit dhe Prrenjasit, duke garantuar sigurinë e udhëtarëve.

Poll