AKTUALITET /

Rikthehet në vendin e krimit / Apeli shqyrton kërkesën e Gjon Shkambit për masë më të butë sigurie

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, në bankën e akuzës rikthehet xhaxhai i autorit

Shkruar nga Versus

Rikthehet në vendin e krimit / Apeli shqyrton kërkesën e Gjon

Në Gjykatën e Apelit Tiranë, nesër do të zhvillohet seanca për shqyrtimin e ankimit të Gjon Shkambit, i cili kërkon një masë më të butë sigurie nga ajo e arrestit me burg, vendosur pas ngjarjes së rëndë të 6 tetorit, ku u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja.

Seanca pritet të nisë në orën 10:00, nën drejtimin e gjyqtarit relator Gent Shala.
Në të njëjtën sallë, vetëm tre javë më parë, nipi i tij 30-vjeçar, Elvis Shkambi, nxori armën në mes të seancës dhe ekzekutoi gjyqtarin Kalaja, pasi ky i fundit kishte dhënë vendim në dëm të familjes së tyre, në një proces të gjatë pronësie që përfshinte 31 familje.

Në të njëjtën ngjarje, Elvis Shkambi plagosi edhe dy persona, babë e bir, nga pala kundërshtare, përpara se të neutralizohej nga forcat e sigurisë në gjykatë.
Pavarësisht arrestimit, Elvisi nuk e ka apeluar masën e sigurisë, ndërsa xhaxhai i tij Gjoni, që ndodhej në sallë në momentin e vrasjes, kërkon tashmë të lirohet ose të hetohet në një formë më të lehtë.

Në të njëjtën ditë, Apeli do të shqyrtojë edhe ankimin e Banush Koxhajt, punonjësit të sigurisë së Gjykatës së Apelit, i cili u arrestua për shpërdorim detyre, pasi armëmbajtësi arriti ta fuste armën në sallë pa asnjë kontroll efektiv.

Ngjarja tronditi opinionin publik dhe sistemin e drejtësisë, duke nxjerrë në pah mungesat e rënda të sigurisë në gjykata. Gjyqtari Astrit Kalaja, me mbi dy dekada eksperiencë në sistem, u vra në krye të detyrë për shkak të një vendimi gjyqësor, një akt që ende po hetohet në të gjitha hallkat e zinxhirit institucional.

Poll