AKTUALITET /

Rishikimi për masën 'arrest me burg'/ Kolegjet e Bashkuara tërhiqen pa afat për vendimin, zbardhen debatet në sallë

Gjykata e Lartë është tërhequr për vendim pas një seance 4-orëshe ku u shqyrtua ndryshimi i praktikës për masën “arrest në burg”. Debati u përqendrua te barra e provës, roli i gjykatës në vlerësimin e masave alternative dhe përputhshmëria e praktikës aktuale me standardet evropiane, ndërsa vendimi i ardhshëm pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e aplikimit të masave të sigurisë në Shqipëri.

Shkruar nga Versus

Rishikimi për masën 'arrest me burg'/ Kolegjet e Bashkuara

Për rreth 3 orë, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë diskutuan mbi iniciativën e kryetarit Sokol Sadushi për të ndryshuar pjesërisht praktikën për aplikimin e masës së sigurisë arrest në burg.

Pas relatimit të çështjes nga gjyqtari Ilir Panda, mbajti qëndrimin dhe iu përgjigj edhe pyetjeve përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme Arqile Koça.

Përfaqësuesi i organit qëndror të akuzës, i tha 16 gjyqtarëve të Lartë, që nëse do vendosin për ndryshimin e praktikës, të jenë të kujdesshëm në dy aspekte.

E para tha ai, duhet të mbahet në konsideratë se kush është garanti që masat e tjera alternative mund janë të zbatueshme në realitetin shqiptar.

Megjithatë sipas prokurorit Arqile Koça, barra për caktimin e masës arrest në burg i takon në çdo rast prokurorisë, dhe jo gjithmonë duhet të niset nga rrezikshmëria e veprës penale por edhe rrethanave të tjera. Së dyti tha Koça, prokurori përfaqëson dhe mbron interesin publik, duke ftuar gjykatën e lartë ta ketë në konsideratë këtë element.

Çështja që mblodhi Kolegjin e Bashkuar u iniciua nga një rekurs i Prokurorisë së Apelit, që kërkoi rikthimin në burg të një të arrestuari për prodhim e shitje narkotikësh, i cili u lirua në arrest shtëpie nga shkalla e dytë e gjyqësorit.

Avokati i të pandehurit në fjalë Luan Hasneziri tha se ndërhyrja është më se e nevojshme në sajë edhe të disa vendimeve të gjykatës së Strasburgut, duke shtuar se disa nga masat e tjera alternativë si arrest në shtëpi, detyrim paraqitje e garanci pasurore, nuk aplkikohen nga drejtësia shqiptare

Gjykata mbylli dyert për median pas këtyre qëndrimeve dhe publikun dhe kaloi në fazën e dytë të shqyrtimit të rekursit të të pandehurit Bektash Zeneli. Pritet që Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë të dalë me një vendim nëse do i miratojë ose jo propozimet e Sadushit, që është edhe kreu i kësaj Gjykate, vendim për të cilin ende nuk ka orar dhe datë për shpalljen e tij.

Diskutime brenda sallës:

Prokurori Arqile Koça: Çështja e sotme mbart me vete që lidhen me dy  pikat kryesore, të pari me njësimin e praktikës dhe po ashtu edhe çështjen konkrete, ne kërkojmë që seanca të jete me dyer të mbyllura, për shkak të problematikave që ka çështja. Për sa i përket njësimit të praktikës të jetë e hapur aq sa mund te lejohet, por për çështjen të mos jene të pranishëm mediat.

Avokati Luan Hasneziri: Jam dakord me prokurorin, që për çështjen konkrete të zhvillohet diskutimi me dyer të mbyllura.

Relatori i parë, Ilir Panda: Relacioni që u është vënë në dispozicion lidhet me të drejtën themelore që trajton Kushtetuta. Në këtë relacion rezulton se në tetor të 2025 policia në zonën e Lezhës ka kryer kontroll në banesën e këtij shtetasi, pasi u gjet një sasi lënde narkotike, dhe prokuroria ka kërkuar masën e sigurimit arrest në burg dhe arrestimin e ligjshëm të arrestit. Shkalla e parë, Gjykata e Lezhës, ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë. Ndër të tjera, gjykata ka vendosur të zbatojë edhe vendimin unifikues të vitit 2011 të Gjykatës së Lartë, që shërbente për nevojat për caktimin e masave të sigurimit. Nëpërmjet mbrojtësit është bërë ankim nga i arrestuari në apel dhe më pas Gjykata e Apelit ka vendosur masën e sigurimit arrest në shtëpi.

Lidhur me ndryshimin e pjesshëm të praktikës gjyqësore të unifikuar, me arsyetimin se disa vendime kërkojnë shqyrtim të veçantë dhe me këtë argument çështja kaloi në shqyrtim te Gjykata e Lartë. 1. Arsyetimi i caktimit të masës së sigurimit me karakter shtrëngues. 2. Masa duhet të jetë në përputhje edhe me marzhin e dënimit që ka vepra. 3. Masa nuk aplikohet kur i pandehuri paraqet prova pozitive.

Vendimi unifikues i vitit 2011 është aplikuar deri më tani nga të gjitha gjykatat, por në këtë praktikë kolegjet e bashkuara kanë arritur në përfundimin se duhet që të rishikohet vendimi për sa i përket masave të sigurimi dhe llojin e masës së sigurimit të zgjedhur veçanërisht asaj arrest në burg“.

Prokurori Arqile Koça: Paraburgimi vendoset nga gjykata jo më vonë se 48 orë. Në të gjitha rastet kur hiqet liria, qytetari mund t’i drejtohet gjykatës. Për efekt të shqyrtimit të sotëm, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut përcakton se masat shqyrtohen nga gjykatat. Rasti i Gëlliçit nuk është i vetmi që është shqyrtuar nga GJEDNJ; ka raste të tjera nga vende të tjera të standardit. Kodi i procedurës penale thotë se arresti në burg vendoset kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme, ndërsa ndryshimet ligjore ofrojnë masa edhe të tjera, si garancia pasurore. I rëndësishëm është ndryshimi që legjislatori ka bërë për arrestin në shtëpi, ku përcaktohet se kur jepet arrest në shtëpi, gjykata përcakton edhe mënyrën e mbikëqyrjes së saj; për ne është e rëndësishme kjo pikë. Më tej thuhet se gjykata nuk mund të japë një masë më të ashpër se ajo e kërkuar nga prokurori.

Gjykata e Lartë pyet prokurorin: Pse duhet ndryshuar praktika?

Prokurori Koça: Më e qarta është rekursi i prokurorit të Apelit. Ka një kuptim të ndryshëm në lidhje me atë që quhet praktikë e Gjykatës së Lartë. Se si qëndron raporti për praktikën gjyqësore, unë nuk kam qëndrimin qe duhet të sqarohet. Marrim parasysh qëllimet e asaj që duam të arrijmë dhe qëllimet janë pozitive, për përmasimin e legjislacionit.

Gjykata e Lartë: Atëherë nëse pranojmë parimin qe barra e provës i takon prokurorit në raport me caktimin e masës së kërkuar, pse ka detyrim gjykata të shqyrtojë përshtatshmërinë e masave të tjera.

Prokurori: Problemi është tek harmonizimi, kemi problem mos kalohet tek ekstremi tjetër se ne mbrojmë interesin publik, jam i interesuar për të drejtave njeriut por në fund të fundit mbrojmë interesin publik

Avokati Luan Hasneziri: Arresti në burg mund të vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme. Kjo klauzolë ligjore tregon qartë kushtet kur vendoset kjo masë. Masa e ‘arrestit në burg’ sipas ligjit duhet të jetë  alternativa e fundit./Versus.al

 

Poll