AKTUALITET /

Rrëshqitja e dherave në Librazhd-Prrenjas, nis demontimi i urës te 'Arrat e Gurrës'

Demontimi i urës së Dragostunjës ka nisur pas dëmtimeve të rënda nga rrëshqitja e tokës, duke e nxjerrë strukturën jashtë funksioni dhe duke rrezikuar sigurinë. Autoritetet pritet të ndërtojnë një urë të re, ndërsa trafiku është devijuar përkohësisht në rrugë alternative.

Shkruar nga Versus

Rrëshqitja e dherave në Librazhd-Prrenjas, nis demontimi i urës

Ka nisur zyrtarisht mëngjesin e kësaj të mërkure operacioni për çmontimin e urës së Dragostunjës, në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, përgjatë aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, pasi struktura u dëmtua rëndë nga rrëshqitja dhe fundosja e terrenit.

Ura u bë e pakalueshme pas një lëvizjeje të fortë të masivit të dheut, e cila destabilizoi themelet dhe e përjashtoi çdo mundësi riparimi.

Ekspertët në terren konfirmojnë se zhvendosja e trupit të rrugës dhe çarjet në shtresat mbajtëse e kanë nxjerrë plotësisht jashtë funksioni, duke e kthyer në rrezik për qarkullimin dhe sigurinë publike.

Demontimi po realizohet me mjete të rënda dhe nën masa të shtuara sigurie, për shkak të paqëndrueshmërisë së tokës. Zona vijon të konsiderohet me rrezik të lartë gjeologjik, ndërsa lëvizjet e dheut raportohen ende aktive në disa segmente përreth.

Shembja e urës ka përkeqësuar ndjeshëm situatën e trafikut në këtë aks të rëndësishëm lidhës, duke izoluar përkohësisht disa komunitete dhe duke detyruar devijimin e qarkullimit në rrugë alternative rurale, të cilat nuk përballojnë fluksin e automjeteve.

Autoritetet pritet të hartojnë një projekt të ri për ndërtimin e një ure më të qëndrueshme dhe të përshtatur me kushtet gjeologjike të zonës, ndërsa banorët kërkojnë transparencë mbi afatet dhe garanci për një zgjidhje afatgjatë. Ndërkohë, në “Arrat e Gurrës” vijon gara me kohën dhe natyrën për rikthimin e normalitetit në një nga segmentet më problematike të qarkut./Versus.al

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Versus.al (@versusalbania)

 

 

Poll