Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për pavlefshmëri të zgjedhjeve të 11 majit.
Seanca e sotme u zhvillua me praninë e përfaqësuesve ligjorë të PD-së dhe PS-së, të cilët ballafaquan argumente dhe prova ligjore lidhur me 12 ankimimet e dorëzuara nga opozita për të gjitha qarqet e vendit. PD pretendoi se procesi zgjedhor ishte i mbushur me parregullsi dhe shkelje ligjore e proceduriale.
Pas këtyre ankimimeve, KQZ zhvilloi procesin e rinumërimit të votave në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës. Rezultatet për forcat politike mbetën të pandryshuara, ndërsa i vetmi ndryshim ishte kalimi i mandatit nga Zegjine Caushi tek pasardhësja e saj në listë, Maldrita Bardho. Kjo e fundit refuzoi të mbajë mandatin, duke ia lënë sërish Caushit.
Nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Partia Socialiste siguroi 83 mandate, Partia Demokratike 50 mandate, Partia Socialdemokrate 3 mandate, Partia Mundësia 2 mandate, ndërsa Nisma Shqipëria Bëhet fitoi 1 mandat./Versus.al







