
Në Gjykatën e Hagës ka nisur gjyqi për paraqitjen e dëshmitarëve të mbrojtjes të ish-presidentit Hashim Thaçi i cili që prej 2020-ës mbahet në paraburgim nën akuzë për trafikim organesh gjatë luftës me Serbinë.
Dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit është James Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit në vitin 1999.
Fillimisht Rubin u pyet për takimin e fundit me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin tha se ka ndodhur në vitin 2019. Ai shtoi se, atëkohë, kishte një kontratë me Qeverinë e Kosovës për të përfaqësuar përpjekjet e Thaçit për të arritur paqe me Serbinë.
“Unë isha shumë i gëzuar që ta shoh. Pikërisht këtë synova në punën time me të - t’i jepnim fund konfliktit, të sillnim paqe e stabilitet në rajon dhe të arrihej njohja e Kosovës dhe njohja e Serbisë si dy shtete të pavarura, që jetojnë në paqe dhe siguri. Ky do të ishte një përfundim i bukur i një historie mjaft të dhimbshme”, tha Rubin.
Sa i takon takimit të tij me Thaçin gjatë konferncës së Rambujesë për Kosovën, Rubin u shpreh se e kishte njohur më herët Thaçin përmes televizionit gjatë kohës që kishte qenë zëdhënës i DASH-it. Ndërsa shtoi se sekretarja e shtetit Madeleine Albright e kishte inkurajuar që të bisedonte me Thaçin dhe të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me të.
“Ne donim të dinim më shumë për udhëheqësin e delegacionit. Ajo më tha: ‘Njihu me të. Ndihmoje që të arrijë në vendimin e duhur’, Dhe kështu bëra”, tha Rubin.
Ai shtoi se gjatë takimeve përpiqej të kalonte sa më shumë kohë me Thaçin, duke ecur bashkë dhe duke diskutuar çështjet e rëndësishme.Në atë kohë, Thaçi nuk fliste anglisht, ndaj Rubin shpjegoi se shpesh përdorej gjuha e trupit kur përkthyesit nuk ishin të pranishëm. Versus.al







