AKTUALITET /

Ballkani preket nga stuhitë ekstreme. Shënohet viktima e parë prej motit në Kosovë, alarm dhe për Shqipërinë

Sipas parashikimeve, rreziku më i lartë paraqitet për jugun e Kroacisë, jugun e Bosnjë-Hercegovinës, Malin e Zi dhe Kosovën, ndërsa Shqipëria është përfshirë në Nivelin 1 të rrezikut, ku priten stuhi më të kufizuara.

Shkruar nga Versus

Ballkani preket nga stuhitë ekstreme. Shënohet viktima e parë

Një valë e fortë moti ekstrem ka prekur Ballkanin, ndërsa meteorologët kanë ngritur alarmin për stuhi të fuqishme që mund të sjellin pasoja të konsiderueshme në disa vende të rajonit.

Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive ka vendosur nivelin më të lartë të alarmit, Nivelin 3, për disa zona të Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar zhvillimin e fenomeneve të rrezikshme atmosferike nga e marta deri në orët e para të së mërkurës.

Sipas parashikimeve, rreziku më i lartë paraqitet për jugun e Kroacisë, jugun e Bosnjë-Hercegovinës, Malin e Zi dhe Kosovën, ndërsa Shqipëria është përfshirë në Nivelin 1 të rrezikut, ku priten stuhi më të kufizuara.

Meteorologët paralajmërojnë se rajoni mund të përballet me superqeliza dhe sisteme të organizuara stuhish, të afta për të prodhuar breshër të madh, erëra të forta me intensitet shkatërrues dhe në raste të rralla edhe tornado.

Viktima e parë nga moti i keq u shënua mbrëmjen e sotme në Kosovë, në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë,  ku një 61-vjeçar humbi jetën pasi dyshohet se ka rrëshqitur në ballkonin e shtëpisë së tij gjatë stuhisë duke pësuar lëndime të rënda.

61-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital por nuk mundi t'i mbijetojë plagëve.

Ndërkohë, në të njëjtin fshat, dy persona të tjerë pësuan lëndime të lehta trupore pasi dyert hyrëse të oborrit të tyre u rrëzuan si pasojë e motit të keq.

Në orët e para të mbrëmjes, një stuhi e fuqishme ka përfshirë Shkupin, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. Si pasojë e erërave të forta, shumë pemë dhe semaforë janë rrëzuar, ndërsa çatitë e disa banesave janë dëmtuar ose janë marrë nga era, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Pemët e rrëzuara kanë penguar qarkullimin rrugor në disa zona të qytetit, ndërsa në shumë lagje janë regjistruar edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Sipas ekspertëve, një skenar i mundshëm është që sistemet e fuqishme të stuhive të formuara mbi Itali të kalojnë Adriatikun dhe të prekin Evropën Juglindore, duke sjellë reshje intensive dhe erëra të forta.

Përveç Ballkanit, alarmi i Nivelit 2 është shpallur edhe për disa zona të Italisë, Rumanisë dhe Bullgarisë, ndërsa pjesë të tjera të Evropës janë përfshirë në nivele më të ulëta rreziku./Versus.al

 

 

Poll