E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, u ka dërguar një porosi të qartë partive politike në vend: Të shmangen çdo përpjekje për të bllokuar pjesëmarrjen e ndonjë partie në zgjedhje përmes taktikave politike apo procedurale.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Ambasadës në Facebook, u bë e ditur se gjatë kësaj jave, Prattipati ka zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
“E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, u takua me udhëheqësit e PDK-së, AAK-së dhe LDK-së për të theksuar një parim thelbësor demokratik: të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të votojnë për përfaqësuesit e tyre. Bllokimi i partive të kualifikuara, përmes taktikave politike ose procedurale, minon demokracinë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në këto takime është diskutuar edhe për ngërçin aktual institucional dhe vonesën në konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet.
Prattipati ua ka kujtuar liderëve politikë se janë zgjedhur për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi dhe u ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe përmbushje të mandatit të dhënë nga qytetarët.
Qëndrimet e partive politike
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se në takim ka theksuar nevojën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
“PDK do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi, në interes të qytetarëve, për stabilitet institucional dhe mbetet e përkushtuar për partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë perëndimorë”, shkroi ai në Facebook të martën.
Nga ana tjetër, LDK-ja ka deklaruar se në takim është diskutuar situata e krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit dhe është theksuar rëndësia e trajtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese.
“Përfaqësuesit e LDK-së ritheksuan rëndësinë që ky institucion të marrë një vendim të drejtë, të bazuar në Kushtetutë dhe në interes të stabilitetit institucional, në mënyrë që vendi të dalë sa më parë nga kriza aktuale politike dhe institucionale”, thuhet në njoftimin e partisë.
Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se i ka përcjellë Prattipatit përkushtimin e Aleancës për të kontribuar në formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja që kanë dalë nga zgjedhjet.
Zgjedhjet e radhës në Kosovë janë ato lokale, të planifikuara për muajin tetor.







