
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur një politikë të re kufizimi vizash, e cila synon të ndalojë hyrjen në vend të individëve të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, përfshirë edhe ata të lidhur me shpërndarjen e fentanilit – një substancë jashtëzakonisht e rrezikshme që ka shkaktuar një krizë serioze shëndetësore në SHBA.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, kjo politikë e re bazohet në seksionin 212(a)(3)(C) të Aktit për Imigracionin dhe Shtetësinë. Ajo do të zbatohet jo vetëm ndaj trafikantëve, por edhe ndaj anëtarëve të familjes së tyre, bashkëpunëtorëve të afërt dhe partnerëve të biznesit të atyre që janë sanksionuar më parë sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059, që synon rrjetet globale të trafikut të drogave të paligjshme.
'Po shpall një politikë të re për kufizimin e vizave për anëtarët e familjes dhe bashkëpunëtorët e ngushtë personalë dhe të biznesit të individëve të sanksionuar sipas Urdhrit Ekzekutiv 14059. Do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të penguar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse që hyjnë në vendin tonë.' -është shprehur Sekretari i Shtetit Marco Rubio mbi kufizimet e reja të vizave, deklaratëe publikuar dhe nga ambasada e amerikane në Tiranë.
Në njoftimin zyrtar thuhet se:
"Vendosja e kufizimeve të vizave ndaj trafikantëve të drogës dhe rrjetit të tyre personal dhe afarist nuk do të shërbejë vetëm për t’i ndaluar të hyjnë në SHBA, por gjithashtu si një paralajmërim për ata që vazhdojnë të merren me aktivitete të paligjshme.”
Kriza e fentanilit në SHBA është bërë një ndër emergjencat më serioze kombëtare. Mbidozat mbeten shkaku kryesor i vdekjeve për amerikanët e moshës 18 deri në 44 vjeç. Vetëm në vitin 2024, SHBA raportoi mbi 220 vdekje nga mbidozat çdo ditë, ndërsa më shumë se 40% e amerikanëve deklarojnë se njohin dikë që ka humbur jetën për shkak të mbidozës me opioide.
Departamenti i Shtetit ka bërë të qartë se do të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme ligjore dhe diplomatike për të ndaluar dhe çmontuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera të paligjshme drejt SHBA, me synimin për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve amerikanë.







