Kosova po përballet me një valë të lartë emigrimi, e cila po merr përmasa shqetësuese, si pasojë e mungesës së perspektivës socio-ekonomike, papunësisë së lartë dhe pasigurisë politike.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga viti 2020 deri në vitin 2024, janë larguar nga vendi 151,700 qytetarë, kryesisht drejt shteteve më të zhvilluara të Evropës Perëndimore në kërkim të një jete më të mirë.
Vetëm gjatë vitit 2024, nga vendi janë larguar 37,451 banorë, ndërsa janë kthyer vetëm 9,038, duke thelluar më tej bilancin negativ të lëvizjes së popullsisë. Në pesë vitet e fundit, numri i të kthyerve është 41,217, shumë më i ulët krahasuar me shifrat e emigrimit.
Viti 2021 ka shënuar pikën kulmore të largimeve, me një total prej 42,728 emigrantësh, duke e bërë atë vitin me nivelin më të lartë të emigrimit që nga paslufta.
Pasojat: ekonomi më e dobët dhe humbje të kapitalit njerëzor
Sipas sociologut Genc Xërxa, emigrimi masiv po krijon një zhbërje graduale të shtresës së mesme, duke ndikuar negativisht jo vetëm në aspektin demografik, por edhe në ekonominë kombëtare, përmes rënies së konsumit, tkurrjes së fuqisë punëtore dhe uljes së atraktivitetit për investitorët e huaj.
“Kosova përballet me një papunësi të madhe, të ardhura të ulëta për kokë banori, mungesë të sigurimeve shëndetësore dhe një sistem arsimor të dobët. Këto janë arsye kryesore që po i shtyjnë të rinjtë të largohen,” – deklaron Xërxa.
Ai gjithashtu thekson se rrogat e ulëta, inflacioni dhe mungesa e edukimit cilësor po kontribuojnë në fenomenin e “ikjes së trurit”, pasi shumë profesionistë të kualifikuar po emigrojnë edhe pse janë të punësuar në Kosovë.
Qytetarët: S’ka punë të qëndrueshme për të rinjtë
Qytetarët ndajnë të njëjtin shqetësim. Qazim Imeri, banor nga Prishtina, thekson se të rinjtë nuk po gjejnë punë të qëndrueshme, ndërsa ekonomia e dobët dhe mungesa e perspektivës i detyrojnë të shohin jashtë kufijve si alternativë për një të ardhme më të mirë.
“Janë shumë arsye që i shtyjnë qytetarët të largohen. Të rinjtë nuk po shohin të ardhme këtu. Kosova ka ekonomi të dobët,” – thotë ai.
Alarmi demografik dhe sfidat për të ardhmen
Ekspertët paralajmërojnë se nëse ky trend nuk frenohet, Kosova rrezikon të përballet me pasoja afatgjata, si plakja e popullsisë, mungesa e fuqisë punëtore dhe dobësimi i sistemit ekonomik dhe social. Ndërkohë, kërkohet një qasje më strategjike nga institucionet, për të përmirësuar kushtet jetësore dhe për të frenuar largimin masiv të qytetarëve, sidomos të rinisë. /Versus.al/







