Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me dhunimin e gazetarit Ilir Demalia ditën e sotme. Mësohet se një person me inicialet R.S është shpallur në kërkim si autor i dhunës ndaj gazetarit.
Ky i fundit është goditur me grushte në rrugën “Çamëria” pas një konflikti për motive të dobëta. Ndërsa vetë Demalia ka thënë se 2 persona e kishin sulmuar pasi njëri prej tyre po merrte gjobë dhe pretendonte se gazetari kishte njoftuar policinë.
Njoftimi i policisë:
Sot, më datë 01.07.2026, rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”, dyshohet se, për motive të dobëta, është goditur me grusht gazetari, shtetasi I. D., i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. S., i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vijim të veprimeve procedurale, është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të përdorur nga autori i dyshuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes. Versus.al


