
Qytetarët që përdorin linjën Kamëz-Tiranë do të përballen nga 1 nëntori me rritje të ndjeshme të çmimeve të biletave dhe abonimeve.
Një biletë që deri tani kushtonte 40 lekë, tani do të shkojë në 50 lekë, ndërsa abonimi nga 1,200 lekë shkon në 1,400 lekë.
Vendimi është marrë nga kryetari i Bashkisë së Kamëz, Rakip Suli, pas një kërkese të operatorit të linjës 'Shpresa.al' dhe një analizë të supozuar teknike e financiare.
Sipas bashkisë, rritja e çmimeve është e domosdoshme për shkak të rritjes së karburantit dhe shpenzimeve të tjera operative.
Megjithatë, problematikat kryesore nuk janë vetëm çmimet.
Vendimi u miratua nga Këshilli Bashkiak pa ndonjë informim paraprak për qytetarët.
Shumë përdorues të linjës thonë se janë përballur me ndryshimin pa asnjë paralajmërim dhe nuk u është dhënë asnjë shpjegim publik.
Ky veprim tregon qartë një mungesë të transparencës dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve.
Rritja e çmimit pa konsultim publik, pa debat dhe pa njoftim të qartë është një abuzim me të drejtën e qytetarëve për informacion dhe për shërbime të arsyeshme.
Në një kohë kur qytetarët përballen me rritje të kostove jetike, politika e Bashkisë së Kamzës dëmton familjet dhe përdoruesit e transportit publik.
Rritja e çmimit nuk duhet të shkojë kurrë mbi nevojën për transparencë dhe llogaridhënie, dhe Bashkia duhet të japë shpjegime të qarta dhe të hapura për qytetarët që paguajnë çdo ditë për këtë shërbim.
Pas interesimit të Versus.al, bashkia Kamëz ka konfirmuar lajmin por pa dhënë asnjë shpjegim më tepër./Versus.al
 
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                        
	                       
 
	                        
	                        
	                        
	                       