
Shqipëria është tashmë edhe një hap tjetër pranë Bashkimit Europian. Këtë vjeshtë, vendi ynë do të hapë negociatat edhe për dy grupkapitujt e fundit, për të cilët tashmë janë caktuar edhe datat se kur do të mbahet konferenca ndërqeveritare.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se më datë 16 shtator, Shqipëria do të ulet në konferencën e radhës ndërqeveritare për të çelur grupkapitullin e “Axhendës së Gjelbër” datë e cila është konfirmuar zyrtarisht.
Ndërsa konferenca e radhës për çeljen e grupkapitullit të fundit, “Bujqësia dhe Kohezioni”, pritet të mbahet në 2 tetor, kjo është data e projektuar dhe miratuar në parim. Me hapjen e tyre Shqipëria nis bisedimet për të 33 kapitujt.
Shqipëria ka çelur deri më tani 4 nga 6 grupkapituj, të ashtuquajturin Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm si dhe Konkurrueshmëria dhe Rritja gjithëpërfshirëse.
Grupkapitulli ‘Bujqësia dhe Kohezioni’
1-Bujqësia dhe zhvillimi rural
2-Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare
3-Peshkimi
4-Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore
5-Dispozitat financiare dhe buxhetore
Grupkapitulli ‘Axhenda e Gjelbër’
1-Politika e transportit
2-Energjia
3-Rrjetet trans-evropiane
4-Mjedisi dhe ndryshimet klimatike







