Ambasada e SHBA në Tiranë përmes një postimi në rrjete sociale i ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë në Shqipëri që të tregojnë kujdes maksimal për shkak të zjarreve që kanë përfshirë vendin.
Ambasada e SHBA i bën thirrje amerikanëve që të shmangin zonat e rrezikuara dhe të respektojnë urdhrat për evakuim apo çdo lloj udhëzimi të policisë.
"Ambasada Amerikane në Tiranë po monitoron me kujdes zjarret që po përfshijnë vendin dhe u bën thirrje të gjithë qytetarëve amerikanë të tregojnë kujdes maksimal në zonat e rrezikuara.
Shumë zona janë në proces evakuimi. Ju lutemi shmangni këto zona dhe ndiqni udhëzimet e policisë për mbylljen e rrugëve apo ndërprerjet e trafikut.
Ndalohet kalimi përmes zonave me tym apo flakë. Nëse ndodheni pranë një zjarri, largohuni menjëherë.
Për çdo ndihmë apo informacion, kontaktoni Ambasadën në numrin 4224-7285 (nga Shqipëria) ose +355-4224-7285 (nga jashtë Shqipërisë), ose në email: [email protected]“, thuhet në njoftimin zyrtar.
Aktualisht në vend raportohen 30 vatra aktive zjarri, ndërsa situata më kritike paraqitet në Gramsh ku janë kryer evakuuime masive të banorëve.







