
Një operacion i mirëorganizuar i autoriteteve italiane ka çuar në zbulimin e një shkëmbimi të madh droge dhe arrestimin e dy personave, pas disa ditësh vëzhgimi intensiv.
Sipas hetimeve, gjithçka nisi nga kontrollet e kryera nga Skuadra “Flying”, e cila kishte vënë nën mbikëqyrje një garazh në Vizzolo Predabissi, i dyshuar si bazë për ruajtjen e lëndëve narkotike nga një 27-vjeçar.
Gjatë ditëve në vijim, efektivët ndoqën lëvizjet e një fuoristrade që qarkullonte në disa zona të Milan, derisa automjeti u drejtua për në Stezzano. Aty, pranë një zone pushimi, u regjistrua momenti kyç: mjeti u ndal pranë një kamioni me targa shqiptare.
27-vjeçari doli nga automjeti dhe mori dy çanta, të cilat rezultuan se përmbanin rreth 270,000 euro cash, duke ia dorëzuar shoferit të kamionit. Në këmbim, ai mori dy qese plastike me një sasi të konsiderueshme droge: rreth 10 kilogramë kokainë dhe 17 kilogramë heroinë.
Menjëherë pas shkëmbimit, policia ndërhyri duke arrestuar në flagrancë të dy personat e përfshirë.
Operacioni vijoi me kontrolle të zgjeruara në disa ambiente të tjera të identifikuara gjatë hetimeve. Në banesën e 27-vjeçarit në zonën e Lodi, u gjetën edhe 2.5 kilogramë kokainë të fshehura në një çantë shpine.
Ndërkohë, në garazhin e monitoruar më herët në Vizzolo Predabissi, brenda një automjeti, u sekuestruan edhe 3 kilogramë kokainë dhe rreth 30,000 euro cash.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjithë rrjetin e përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe lidhjet e mundshme ndërkombëtare të trafikut të drogës.

