AKTUALITET /

"Shqiptaria është me Shkupin", më 26 maj protestohet edhe në Tiranë, në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Sipas njoftimit, protesta në mbrojtje të gjuhës shqipe do të nisë nga sheshi "Skenderbej" në Tiranë, ndërsa më pas pjesëmarrësit do të marshojnë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë

Shkruar nga Versus

"Shqiptaria është me Shkupin", më 26 maj protestohet

Studentët shqiptarë do t’i bashkohen kauzës së studentëve të Shkupit në mbrojtje të gjuhës shqipe duke paralajmëruar organizimin e një proteste në Tiranë.

Sipas njoftimit, protesta do të nisë nga sheshi "Skenderbej" në Tiranë, ndërsa më pas pjesëmarrësit do të marshojnë drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.

Protesta është planifikuar të mbahet të martën, më 26 maj, duke filluar nga ora 17:00.

Studentët kanë bërë thirrje për solidarizim dhe mbështetje sa më të madhe ndaj kërkesave të studentëve shqiptarë në Shkup.

Protesta e organizuar të hënën në Shkup, mblodhi nga të gjitha trevat shqiptare, qytetarë dhe  të rinj në mbështetje të studentëve shqiptarë  në mbështetje të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në provimet e jurisprudencës.

Gjatë tubimit, protestuesit shprehën mirënjohje për mbështetjen nga Prishtina dhe Tirana, ndërsa theksuan se nisma e tyre nuk kufizohet vetëm te çështja e provimit të jurisprudencës, por do të vijojë edhe më tej.

Studentët deklaruan se “heshtja nuk është opsion” dhe i bënë thirrje institucioneve që të reagojnë ndaj kërkesave të tyre, duke paralajmëruar vazhdim të veprimeve nëse nuk ka zgjidhje.

“Mos zvarrisni e hapni plagë të reja për të harruar të vjetra. Ne jemi gati. Heshtja nuk është opsion, le ta dëgjojë çdo institucion”, u shprehën organizatorët.

Megjithëse protesta ishte paqësore, raportohet se dhjetëra të rinj, një pjesë të ardhur nga Tirana u arrestuan nga policia, ndërsa u vendosën postoblloqe për të penguar hyrjen e shumë mbështetësve të protestës nga Tirana dhe Kosova.

Poll