Gazetari Osman Stafa ka denoncuar publikisht mungesën e rëndë të disa medikamenteve thelbësore në Spitalin Onkologjik në Tiranë, duke e përshkruar situatën si dramatike për pacientët me kancer.
Sipas tij, bëhet fjalë për ilaçe që nuk kanë zëvendësues dhe janë absolutisht të domosdoshme për vazhdimin e protokolleve të trajtimit mjekësor. Stafa rendit katër medikamente që aktualisht mungojnë plotësisht:
Phesgo – i domosdoshëm për gratë me kancer gjiri; mungesa ka nisur që sot.
Cetuximab – për pacientët me kancer të zorrës së trashë; mungon prej 1 muaji e 5 ditësh.
Erlotinib – për kancerin e mushkërisë; mungon prej 3 javësh.
Abirateron – për kancerin e prostatës; mungon prej 3 javësh.
Këto mungesa, sipas denoncimit, po i lënë pacientët pa mundësi trajtimi efektiv, duke rrezikuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore dhe në disa raste edhe jetën e tyre.
Gazetari i bën thirrje autoriteteve shëndetësore, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor që të marrin masa urgjente për furnizimin e menjëhershëm me këto medikamente jetike.
Situata vjen në një kohë kur numri i pacientëve me kancer në Shqipëri është në rritje dhe sistemi shëndetësor po përballet me kritika të vazhdueshme për menaxhimin e barnave onkologjike.
Postimi:
Është vrasje!
Në Onkologjik mungojnë medikamentet:
1. Phesgo – për gratë me kancer gjiri. (Ka nisur mungesa sot)
2. Cetuximab – për kancerin e zorrës së trashë. (Mungon prej 1 muaji e 5 ditësh)
3. Erlotinib – për kancerin e mushkërisë. (Mungon prej 3 javësh)
4. Abirateron – për kancerin e prostatës. (Mungon prej 3 javësh)
Janë medikamente jetike për pacientët me kancer.
Nuk zëvendësohen. Protokolli se lejon.
Pacientët i kanë lënë pa ilaçe.
Kryeministri Edi Rama ka thënë trafikimi i pacientëve nga pubkiku në privat, është krim kundër njerëzimit.
Unë e pyes: Z. Kryeministër a është krim kundër njerëzimit lënia e pacientëve me kancer, pa ilaçe?
Po Ministrja e Shëndetësisë, çfarë mendon për këtë? A ndodhte kjo situatë edhe në vendet ku ajo ka punuar?/Versus.al

