Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, lidhur me dosjen e koncesionit të “Sterilizimit”, është shtyrë edhe këtë të hënë për shkak të mungesës së dy avokatëve të tij mbrojtës.
Gjatë seancës, Beqaj u kërkoi gjyqtarëve të verifikojnë vetë kontratën e sterilizimit, duke pretenduar se prokurorët nuk e kanë inspektuar asnjëherë, ndonëse ajo përfundon më 8 mars.
Ai deklaroi se akuza për krijim grupi kriminal është e pabazë dhe se vizita në terren do të tregonte realitetin e kontratës.
Ish-ministri ndodhet prej më shumë se një viti në paraburgimin e Durrës, pasi u arrestua më 4 korrik 2024 me urdhër të SPAK dhe masë sigurie të caktuar nga GJKKO, në kuadër të hetimeve për skandalin me fondet e SASPAC.
Përveç kësaj çështjeje, Beqaj po hetohet edhe për koncesionin e sterilizimit në sektorin shëndetësor, për të cilin u zhvillua seanca e fundit gjyqësore./Versus.al

