Aleks Ndreka, i njohur edhe me nofkën “Leksi i druve”, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, të zhvilluar në korrik të vitit 2023.
Ndaj tij ishte caktuar më herët masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë, nën akuzën për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e veprës penale të vrasjes.
49-vjeçari është një nga figurat kryesore të krimit në zonat e Lezhës dhe Shkodrës dhe dyshohet për përfshirje në aktivitete të shumta kriminale dhe planifikimin e vrasjeve të organizuara.
“Leksi i druve”, ka qenë shënjestër e disa atentateve me armë zjarri ndër vite, nga të cilat ka arritur të mbijetojë.
Një nga sulmet më të rënda ndaj tij ndodhi më 1 dhjetor 2020 në superstradën Lezhë–Laç, ku mbeti i plagosur.
Pas ngjarjes, ai arriti të largohej nga vendi i sulmit dhe u paraqit vetë në spitalin rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa autorët dogjën automjetin e përdorur në fshatin Pllanë për të humbur gjurmët.
Sipas të dhënave, ndaj Ndrekës janë regjistruar edhe tentativa të tjera për eliminim fizik, përfshirë edhe një planifikim sulmi me dron.
Në mars të vitit 2023, ndaj tij është qëlluar sërish me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, por edhe këtë herë arriti të shpëtojë.
Ndreka ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka, lidhur me vrasjen e të vëllait.
Njoftimi nga Policia e Shtetit
Vijon si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, operacioni i koduar “The Wanted”.
Siguroi kushtet për vrasjen e tre shtetasve shqiptarë, në vitin 2017, ekstradohet nga Italia, 49-vjeçari.
Në vijim të koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit A. N. alias A. D., 49 vjeç.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
/Versus.al

