
Në Këshillin Bashkiak të Vlorës është paraqitur një projektvendim për ngritjen e një streheze për qentë endacakë në qytet, me një buxhet total që për periudhën maj–dhjetor 2026 arrin në rreth 260 mijë euro.
Dokumenti i paraqitur nga këshilltari Gjergji Nika parashikon që në këtë shumë të përfshihen pagat e stafit, shpenzimet operative dhe investimet për ambientin, përfshirë qiranë dhe pajisjet.
Sipas përllogaritjeve të paraqitura, kostoja mujore për çdo qen të strehuar llogaritet të shkojë rreth 260 euro.
Kjo shifër ka ngritur diskutime, sidomos në një kohë kur shumë qytetarë në nevojë marrin vetëm 35 euro ndihmë ekonomike në muaj, një diferencë që e bën projektin të duket i rëndë për buxhetin dhe i pabarabartë në raport me prioritetet sociale të qytetit.
Në dokumentin e bashkisë thuhet se qëllimi i projektvendimit është krijimi i strehëzës për kafshët endacake dhe miratimi i akteve të procedurave administrative që do të shërbejnë për funksionimin e saj.
Po ashtu, aty parashikohen edhe protokollet për trajtimin veterinar, ushqimin, adoptimin, dërgimin për analiza laboratorike dhe vlerësimin e temperamentit të qenve.
Projektvendimi mban firmat e nënkryetares Jolana Llana , ndërsa në fund të dokumentit përcaktohet që vendimi hyn në fuqi menjëherë pas miratimit. Versus.al


