
Një gjetje që përbën skandal të rëndë është konstatuar nga emisioni “Inside Story” në materialin e publikuar mbrëmjen e djeshme lidhur me cilësinë e bukës që konsumojnë shqiptarët.
Në fletë analizë ajo që bie në sy është niveli i arsenikut inorganik që rezulton 0,266 miligram për kilogramë. Nëse kemi parasysh faktin se pesha e bukës është vetëm 800 gram, atëherë kjo do të thotë se niveli mund të jetë edhe më i lartë. Siç dihet, arseniku inorganik është një lëndë toksike mjaft e rrezikshme nëse gjendet në nivele të larta. Por, ajo që komplikon edhe më tej situatën është fakti se udhëzuesit zyrtarë dhe manualët në fuqi, nuk kanë përcaktuar një normë mbi nivelin e lejuar te buka.
Mjekët e konsiderojnë tepër problematike këtë nivel të arsenikut, ndërsa kimistët nuk e cilësojnë aq dramatike.
‘Kujdes pse, sepse arseniku jo për të gjitha sëmundjet ka të njëjtën dozë që rekomandohet, pra unë mora më të voglën dhe kjo është për të evidentuar të gjitha llojet e sëmundjeve por për lezionet e lëkurës, pra kancer lëkure e kështu me radhë kjo dozë është 0,3 për disa të tjera rritet, kur bie puna për të shkaktuar kancer të mushkërive, probleme të zemrës, infertilitetit …’, u shpreh Ilir Alimehmeti, mjek.
‘Në parimet shkencore nuk mund të merret referencë krahasuese me orizin pasi buka ka konsum masiv e e sidomos në vendin tonë është produkti kryesor i përdorimit masiv në popullatë në të gjitha moshat dhe për pasojë duhet të ketë standardet e veta shkencore që ne nuk i kemi fatkeqësisht’, u shpreh Besnik Jakaj, mjek.
“Në konceptin mjekësor në do të shohim ekspozimin që ne kemi ndaj arsenikut, pra njeriu çfarë arseniku merr dhe të mos harrojmë që ka dy lloje arsniku, organik dhe inorganik. Arseniku inorganik është ai i dëmshmi”, u shpreh mjeku, Ilir Alimehmeti.
Për disa ekspertë, ky është tregues se arseniku nuk mund dhe nuk duhet të jetë i pranishëm tek buka. Kjo, mbështetet edhe me faktin se AKU, në laboratorët e saj nuk ka asnjë përcaktim për nivelin e arsenikut në bukë. Versus.al

