
Versus.al ka siguruar detaje nga dosja hetimore për të cilën dje prokuroria e Tiranës lëshoi 8 masa sigurie, 5 prej të cilave për zyrtarë të bashkisë Tiranë dhe të IMT-së. Tre masat e tjera të sigurisë “detyrim paraqitje” janë dhënë për përfaqësuesit e subjekteve që kanë përfituar nga tenderi për punimet fiktive.
Hetimet kanë zbuluar se Aleksandra Mahmutllari si përfaqësuese e subjektit mbikqyrës të punimeve subjekti “Maging studio” shpk, në mars të vitit 2021 ka fituar një tender nga Bashkia Tiranë për shembjen e 15 pallatave. Gjatë prej këtyre pallateve kanë qenë të shembura që në janar të vitit 2021, por sërish janë përfshirë në tenderin e muajit mars duke shkaktuar kosto shtesë për buxhetin e bashkisë për punime të cilat ishin kryer muaj më parë.
Kallëzimi është bërë më 15 shkurt të vitit 2021 nga Asqeri Xhanari kundër shembjes së apartamentit që kishte në pallatin nr.140 në zonën e Kombinatit. Sipas Xhanarit, prishja e pallatit ishte bërë në mënyrë arbitrare pa njoftim të IKMT dhe pa vendim zyrtar. Pas shembjes ai i ishte drejtuar këshillit bashkiak të Tiranës për t’u informuar nëse kishte vendim për shembjen e pallatit dhe institucioni i ka kthyer përgjigjie më 2 shkurt duke i thënë se nuk kishte një vendim të tillë.
Rezulton se pallati është shembur në 28 janar të 2021-it. Ndërsa më 1 mars të 2021-it këshilli bashkiak i Tiranës miratoi shembjen e ndërtesës private që kishte pësuar dëmtime nga tërmeti i 2019-ës, pavarësisht se pallati nr.140 ishte shembur një muaj më parë. Më 11 gusht të 2021-it është lidhur kontrata me “Alb&Trans sh.p.k” dhe Klajger Konstruktion sh.p.k për devolimin dhe evadimin e mbetjeve në këtë objekt.
Për këtë çështje është pyetur edhe Taulant Tushe i cili asokohe mbante postin e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike i cili kishte deklaruar se nuk kishte dijeni për kohën e shembjes së pallatit dhe se nuk ishte përgjegjësi e tij ndjekja e një procesi të tillë. Gjithashtu ka deklaruar se nuk kishte informacion nëse Asqeri Xhanari, pronari i objektit të shembur, kishte përfituar ose jo nga grantet e rindërtimit.
“Nuk kam dijeni për kohen kur është demoluar ky objekt, nuk është detyre e imja ndjekja e ketij procesi. Dua te theksoj një fakt se në dijeninë time objektet për te cilat është lidhur kontratë shërbimi per demolim dhe evadim të mbetjeve ndertimore kanë qene objekte per të cilat sipas ekspertizes së thelluar te Institutit të Ndërtimit janë klasifikuar si objekte te pabanueshme dhe me rrezikshmëri te lartë per banoret. Referuar kontratës së lidhur subjekti i cili është kontraktuar per këtë qellim, ka detyrë të bej demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore brenda afateve të percaktuara në kontratë .Lidhur me pallatin nr 140 nuk kam cfarë të deklaroj më shumë. Nuk jam në gjendje te jap nje pergjigjje te sakte nese shtetasi Asqeri Xhanari ka përfituar nga grantet e rindërtimit të objekteve të dëmtuara nga termeti, pasi është drejtori tjetër e ngarkuar për shyrtimin e dokumentacionit për banesat e dëmtuara”- ka deklaruar Tushe në prokurori.
Masat e lëshuara nga prokuroria e Tiranës:
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Aurel Çuko, Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Aurel Boriçi, Drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Eleana Guçe, Përgjegjese e Sektorit të Politikave të Kompesimit nga Fatkeqësitë natyrore të Drejtorisë së Emergjencave Civile për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Rexhina Rakipi, Specialiste e IMT, për kryerjen e veprës penale “Shperdorimi detyre”;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Sokol Qehajaj Specialist i IMT, bashkia Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Aleksandra Mahmutllari, mbikëqyrëse e punimeve, përfaqësuese e BOE “Maging shpk & Imes-D shpk” për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shume se nje herë;
‘Detyrim paraqitje’ për shtetasin Shyqyri Maloku, përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans-2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk dhe Adminstrator i Subjektit “Arb & Trans -2000” shpk, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë; dhe
‘Detyrim paraqitje’ për shtetasin Fatmir Firi, përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans -2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë. Versus.al


