
Moskryerja e transplanteve të veshkës në Shërbimin e Urologjisë dhe Nefrologjisë në QSUT fsheh prapaskena dhe hedh hije dyshimi se gjithçka bëhet për të favorizuar spitalet private.
Mesatarisht 14 pacientë e kanë kryer çdo vit këtë procedurë për shkak se veshka e tyre është jashtë funksionit në Spitalin Hygeia dhe Spitalin Amerikan, të financuara nga buxheti i shtetit.
Ndërkohë që në QSUT salla e ndërhyrjeve për transplantin, e mirëpajisur me aparatura të teknologjisë moderne, pasi është realizuar falë një investimi prej 3 milion euro të projektit Italian “Intereg“, qëndron e mbyllur që pas transplanteve të para që u realizuan në vitin 2009.
Por çfarë ndodhi më pas? Pse u ndërpre kryerja e kësaj procedure për transplantin e veshkave në shërbimin publik? Dhe kjo jo për pak, por për disa vite.
Fakt është se transplantet kryhen, por me një ndryshim: në sallat e operacionit në dy spitalet private në pronësi të biznesmenit Klodian Allajbeu, ku shteti shqiptar paguan afro 20 mijë euro për një transplant.
Po a është kjo rastësi që sallës së transplanteve në QSUT i vihet kyçi?
Në një përgjigje zyrtare, drejtoria e QSUT pranon se transplantet e veshkave janë pjesë e paketave shëndetësore të cilat i financon Fondi i Sigurimeve në spitalet jo publike, por mohon investimin e bërë prej 3 milion euro nga projekti Intereg.
Ndërkohë që faktet janë kokëforta, pasi janë tre pacientë që e kanë kryer transplantin në shërbimin publik në vitin 2009, ku ka asistuar edhe shefja aktuale e shërbimit të Nefrologjisë, Arjana Strakosha. Anila Godo janë dëshmitare të padiskutueshme, tre pacientë që e kanë kryer transplantin.
Top Channel kontaktoi mjekë të njohur që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në QSUT, të cilët thonë se fijet lidhen diku tjetër.
Burime të besuara thonë se kjo skemë është e qëllimshme në mënyrë që fondet e buxhetit të shtetit të planifikuara për transplantet të shkojnë në arken e Allajbeut.
Burime të besuara thonë se ish-nëndrejtorja e QSUT, Arjana Strakosha, njëkohësisht shefe e shërbimit të Nefrologjisë, një nga dy shërbimet përgjegjëse për kryerjen e transplanteve, ka lidhje të ngushta me bizneset e Allajbeut. Familjarë të saj kanë poste kyçe në bizneset e Allajbeut.
Djali i shefes së Nefrologjisë, Arber Teqja, është i përfshirë në manovrat shitje-blerje të Allajbeut për të përfituar sa më shumë tendera në Shëndetësi. Manovra më e fundit është ajo me Eco Riciklim Shpk, e cila merret me trajtimin e mbetjeve spitalore.
Në këtë biznes, djali i ish-shefes së shërbimit të Nefrologjisë zotëronte 70% të aksioneve, por në shkurt të vitit 2025, Teqja ia shet aksionet e tij firmës “ANA Mark” me një vlerë prej 60 mijë euro, ku Klodian Allajbeu rezulton të jetë pronar me 100% të aksioneve.
Por si mundet që një kompani që xhiron dhe fiton tendera me vlerë miliona euro në shëndetësi t’i shesë aksionet e saj me një vlerë kaq të ulët?
Kjo vërteton edhe njëherë manovrat e Allajbeut në shitje-blerjesh aksionesh në kompani e biznese për të përfituar dhe bërë gati monopol çdo tender në Shëndetësi. Për koinçidencë, në po atë vit kjo kompani e Allajbeut fiton një tender për menaxhimin e mbetjeve spitalore në Qendrën Spitalore Universitare në vlerën e afro 37 milion lekëve./TCH

