Kryegjyshi botëror, Bektashinjve, Baba Mondi ka bërë së fundmi një tjetër deklaratë për shtetin Bektashi, idenë e propozuar nga kryeministri Edi Rama prej më shumë se një viti më parë që duket se është arkivuar.
Në podkastin “Flet”, Baba Mondi tha se kryegjyshata e Bektashinjve me seli në Tiranë nuk mundet të operojë si OJF, por i duhet një status i veçantë diplomatik në mënyrë që të përgjigjet për besimtarët e saj përballë çdo shteti.
“Ne kemi 30 vjet që kërkojmë një status diplomatik të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Nuk mund të jetë një qendër botërore OJF. Ne kërkojmë këtë status. Shteti Shqiptar ka menduar ta bëj shtet, a do ta bëjë mini-shtet, a do ta bëjë Urdhër, atë do ta vendosë shteti. Kur të vendosi shteti, ne do të hyjmë ndërkombtarisht që të na njohin dhe shtetet e tjera si Kryegjyshatë Botërore Bektashiane. Duke patur një shtet, do të përballemi dhe me shtete ku janë bektashinjtë dhe nuk i kanë të drejtat” – tha Baba Mondi.
I pyetur nëse shqiptarët kanë ndonjë dobi nga krijimi i këtij shteti brenda territorit të Shqipërisë, Baba Mondi bëri një paralelizim me Vatikanin.
“Ç’humbet Italia nga Vatikani?” – u përgjigj ai.
Ndërsa më tej përmendi disa prej sakrificave që bektashinjtë kanë bërë për vendin, duke pretenduar se edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu ka qenë i besimit bektashi.
“Ne shqiptarë jemi, ça do i bëjmë Shqipërisë? A kemi dhënë? A jemi masakruar për Shqipërinë? Skënderbeu, bektashi ka qenë, që i mblodhi. Kush e ka bërë përveç Skënderbeut? Asnjë. Ishte atje… ishte bektashi! Babain e Bektashinjve e ka djegur të gjallë sulltani, se i tha, ti ke të drejtë ta sjellësh Skënderbeun këtu prapë. Dhe ai ka vajtur të luftojë për kombin e vetë”- shtoi Baba Mondi. Versus.al


