
Bujar Spahiu, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e festës së Fitër Bajramit i cili festohet ditën e nesërme duke shënuar kështu edhe mbylljen e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Nëpërmjet një videoje në rrjetet sociale, Spahiu tha se muaji i Ramazanit ishte një udhëtim shpirtëror i sakrificës dhe afrimit me Zotin. Ndërsa uroi Fitër Bajramin, kreu i KMSH e cilësoi si festën që kujton vlerat më të larta njerëzore.
“Sot jemi në ditën e fundit të një muaji adhurimi, mëshire dhe solidariteti. Nesër kemi festën e Fitër Bajramit, kam nderin dhe kënaqësinë t'ju përcjell urimet më të sinqerta me rastin e kësaj feste të bukur. Ramazani ishte një udhëtim shpirtëror i përkushtimit, sakrificës dhe afrimit me Zotin. Përmes agjërimit forcuam besimin tonë dhe ndjenjën e solidaritetit me njëri-tjetrin. Fitër Bajrami është festa që na kujton vlerat më të larta njerëzore, mëshirën, dashurinë, faljen dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë. Le të jetë kjo ditë moment gëzimi dhe mirësie për çdo familje shqiptare”- u shpreh Spahiu. Versus.al

