AKTUALITET /

Sot zgjidhet pasuesi i Altin Dumanit në krye të SPAK! KLP vendos mes 4 kandidaturave

Shkruar nga Versus
Sot zgjidhet pasuesi i Altin Dumanit në krye të SPAK! KLP vendos mes 4
Altin Dumani në takim me zyrtarin e DASH dhe kreu i BKH Joni Keta

Sot Këshilli i Lartë i Prokurorisë mblidhet në orën 09:00 për të zgjedhur pasuesin e Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Mbledhja do të jetë e hapur për mediat ndërsa të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues nga Prokurori i Përgjithshëm, ministria e Drejtësisë, Projekti Eu4Justice dhe Programi OPDAT.

Në garë për kreun e ri të SPAK janë 4 kandidatë: Doloreza Musabelliu, Adnand Xholi, Elvin Gogaj dhe Klodian Braho. Kjo është hera e parë që një grua kandidon për të qenë drejtuese të SPAK. Katër kandidatët do të paraqesin platformat e tyre për drejtimin e institucionit dhe më pas do të votohet për emrin e ri të drejtuesit.

Ndërkohë, dje, një ditë para mbledhjes së SPAK, SHBA vlerësoi punën e Altin Dumanit pas një takimi që pati me zyrtarin e DASH, zv.drejtorin për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise. Në vlerësimin e bërë, theksohet puna e Dumanit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duke theksuar se ai vendosi standardin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Delegacioni i BE në Tiranë dhe ambasada e Britanisë së Madhe bënë thirrje që gara të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, ndërsa mesazhi i tyre ishte për të përzgjedhur një kandidat  i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”.

Drejtuesi i ri do të ketë një mandat 3 vjeçar pa të drejtë rizgjedhje. Të gjithë kandidatëve së bashku me kreun aktual, Altin Dumani, u përfundon mandati në SPAK në fundin e 2028-ës dhe Kuvendi ende nuk ka miratuar një ndryshim sa i takon mundësisë së tyre për të rikandiduar për të qenë pjesë e SPAK. Mandati i Dumanit si kryeprokuror i posaçëm përfundon zyrtarisht më 18 dhjetor të këtij viti, më pas ai do të vijojë të jetë prokuror në SPAK edhe për 3 vite. Versus.al

Poll