Më 18 dhjetor përfundon zyrtarisht mandati 3 vjeçar i Altin Dumanit në krye të SPAK, ndërsa sot në KLP zgjidhet pasuesi i tij mes 4 kandidatëve që janë në garë. Në profilet e kandidatëve vihet re përfshirja e tyre në çështje me ndjeshmëri të lartë dhe dosje tepër të rëndësishme.
Profilet e kandidatëve për kreun e SPAK:
Doloreza Musabelliu, e emëruar në tetor të 2004-ës, ajo ka është prokurore e SPAK dhe mbart një rol të rëndësishëm në këtë institucion. Musabelliu është një nga magjistratet e diplomuara që për shkak të rezultateve të larta u emërua menjëherë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo është një nga prokurorët që ka qënë pjesë e grupit të cilët kanë hetuar dosjen “Plumbi i artë”, ku tre bashkëpunëtor të drejtësisë kanë zbuluar me dhjetëra krime ndër vite në Shqipëri, të cilët deri tani janë konsideruar si ngjarje pa autor.
Po ashtu ajo ka hetuar edhe masakrën e ndodhur në qendër të Lushnjes në 2017, ku edhe u kërkua “burgim i përjetshëm” për Leart Haxhiun dhe dy shokët e tij Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili. Ajo ka qenë një nga prokurorët e parë që kreu një hetim kundër Emiliano Shullazit dhe kërkoi dënimin për trafik droge dhe armëmbajtje. Ka qenë gjithashtu drejtuese e njësisë Task Forcë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe e ka lënë këtë detyrë në vitin 2017.
Adnan Xholi, i emëruar për herë të parë më 2004, ai është një nga kandidatët me përvojën më të gjatë. Aktualisht Xholi shërben si prokuror në SPAK dhe momentalisht mban detyrën e shefit të Seksionit të Krimit të Organizuar. Kjo është hera e dytë që Xholi kandidon për kreun e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Së bashku me Altin Dumanin dhe Elvin Kondilin ai kandidoi edhe në vitin 2022 kur mori vetëm votën e një prej anëtarëve të KLP-së, Sokol Stojanit. Xholi ka hetuar shumë nga dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Xholi punon prej më shumë se 20 vitesh në sistemin e drejtësisë. Në janar të vitit 2018 me ndryshimet e kryera në organin e akuzës nga kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, prokurori Xholi u emërua në krye të Drejtorisë Gjyqësore. Në vitin 2021 kaloi vettingun dhe që prej korrikut të 2021-shit iu bashkua trupës së prokurorëve specialë të SPAK.
Ai është një nga prokurorët që hetoi Fredi Belerin për korrupsion zgjedhor. Më pas ka hetuar dhe zbardhur atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në nëntor të vitit 2019, dosje e cila në sajë edhe të zbërthimit të komunikimet në SkyECC ka prodhuar edhe dy dosje të tjera ku është ekspozuar aktiviteti kriminal i grupit në fushën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe rivalitetin e grupeve kriminale në Durrës, shkatare të shumë viktimave.
Elvin Gokaj e ka nisur karrierën e tij në djetor të vitit 2000 në Prokurorinë e Matit. Nga viti 2007 deri në 2013 ka qenë drejtues i Prokurorisë së Elbasanit. Në vitin 2014 është emëruar në Prokurorinë e Apelit Shkodër, ku më vonë ka mbajtur pozicionin e drejtuesit. Në dhjetor 2021 është emëruar prokuror në SPAK.
Ndër çështjet e hetuara dhe të dërguara në gjyq prej tij, është dosja “Buka” ku është marrë i pandehur ish-ministri i Ekonomisë dhe infrastrukturës Arben Ahmetaj. Po ashtu edhe kreu i Komisionit të Prokurorimeve Publike Jonaid Myzyraj është hetuar prej tij në lidhje me abuzime në disa tendera. Për këtë procedurë prokurimi krahas Jonaid Myzyrajt, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, 7 prej të cilëve të akuzuar për shkelje e barazisë në tenderë publikë, kryer në bashkëpunim.
Klodian Braho, është emëruar prokuror në vitin 2007, dhe shërben si prokuror pranë SPAK, që nga krijimi i tij. Aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj.
Ndër dosjet që ka ndjekur përmendet edhe ajo ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Në vitin 2022, ai u përfshi në procesin e kandidimit për postin e kreut të SPAK, por më pas u tërhoq nga gara.
Ai po ashtu ha hetuar dosjen 5D, duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris” ku janë të përfshirë edhe shumë njerëz të drejtësisë. Gjithashtu Klodian Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në ngjarjen e Gërdecit. Versus.al


