AKTUALITET /

SPAK e çoi për gjykim, caktohet gjyqtarja që do vulosë fatin e dosjes së Erion Veliajt

Brenda 10 ditëve do të caktohet data seancës paraprake për dosjen e Veliajt.

Shkruar nga Versus

SPAK e çoi për gjykim, caktohet gjyqtarja që do vulosë

Etleva Deda është caktuar me short elektronik si gjyqtarja që do të kryesojë seancën paraprake që do të zhvillohet për dosjen ku është marrë i pandehur kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, gruaja e tij Ajola Xoxa, ish-deputetja Klotilda Bushka dhe 4 biznesmenë.

Gjyqtarja e posaçme do të caktojë datën e seancës jo më larg se brenda 10 ditëve ndërsa do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim hetimesh apo do të pushohet.

SPAK njoftoi dje përmbylljen e hetimeve disa mujore ndaj kreut të bashkisë i cili u arrestua më 10 shkurt të këtij viti nën akuzë për pastrim parash, korrupsion pasiv, shpërdorim detyre, fshehje pasurie dhe futje e sendeve të paligjshme në ambientet e vuajtjes së dënimit. Avokatët e kryebashkiakut reaguan duke pretenduar se prokurorët e posaçëm nuk kanë asnjë provë kundrejt klientit të tyre.

SPAK e akuzon Veliajn se ka kaluar fonde të Bashkisë në adresa të Organizatave jofitimprurëse që zotërohen në mënyrë direkte apo të tërthorte nga bashkëshortja e tij.

“I pandehuri Erion Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të”- thuhej në njoftimin e SPAK.

Po ashtu çifti Veliaj-Xoxa dyshohet se kanë përfituar rryshfet nga biznesmenët të cilët kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga bashkia e Tiranës. Sipas SPAK, kompanitë e biznesmenit Elman Abule dhe organizatave jofitimprurëse të drejtuara nga Ajola Xoxa kanë kryer pastrimin e parave duke u përpjekur të zhduknin origjinën e parave.

“Ky qëllim kriminal i të pandehurve do të ishte i pamundur të përmbushej, pa rolin përcaktues të subjekteve të tjera tregtare, shpk dhe OJF-ve. Në këtë kuptim, organi procedues ka arritur në përfundimin se OJF-të “Harabel”, “Eventus”, “Muza” dhe “BYL-A”, personat fizikë si shtetasit Valmir Xoxa dhe Adela Kondakçiu, të kontrolluar plotësisht nga e pandehura, Ajola Xoxa, si edhe shtetasi, Elman Abule dhe shoqëria “Rametal” shpk, kanë kryer veprime konkrete të kundërligjshme në drejtim të pastrimit të produkteve të veprës penale”- thuhet më tej në akuzë. Versus.al

Poll