Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar së fundmi një aksion kundër një grupi që merrej me trafik droge. Prokurori Alfred Shehu ka lëshuar 11 urdhër arreste, mes të cilave një për Jetmir Pepën, biznesmenin që njihet për përfshirjen në disa skandale të ndodhura.
Pepa është pronari i kompanisë së ndërtimit “Pepa Group”. Sipas detajeve të bëra publike deri më tani, dyshohet se bëhet fjalë për episode trafiku të drogës drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Informacionet e deritanishme sugjerojnë se Pepa mund të ndodhet jashtë vendit, pasi urdhri për arrestin e tij nuk është ekzekutuar.
Përshirja në skandalet “rozë”
Jetmir Pepa u cilësua si “molla e sherrit” për ngjarjen e ndodhur në verën e vitit 2024 në një restorant të Tiranës kur dy motrat Antonela dhe Marinela Berisha dhunuan brutalisht blogeren Klea Prenga pasi dyshonin se kjo e fundit kishte një lidhje me biznesmenin.
Emri i tij u përmend sërish disa muaj më pas në një sherr të ndodhur në klubin “Cinco Cavalli” ku Pepa u konfliktua me disa persona pasi kishte hedhur një cigare të pafikur në tavolinën e tyre duke bërë që përplasja të degradonte deri në të shtëna me armë zjarri. Që prej ngjarjes së ndodhur në janar të 2025-ës, biznesmeni ende është në kërkim. Versus.al



