Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 5 vite burg të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako për inceneratorin e Tiranës. Bllako deri më tani është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për inceneratorin e Fierit, ndërsa për atë të Elbasanit çështja u kthye për rigjykim.
Njëjtë edhe për inceneratorin e Tiranës, çështja e Bllakos po rigjykohet dhe SPAK kërkon shpalljen e tij fajtor për korrupsion të zyrtarëve të lartë në dy raste. Në rast se dënohet me 5 vite burg, Bllako përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi i zbret në 3.4 vite burg si dhe mos ushtrimin e asnjë funksioni publik për 5 vite.
Ndërkohë, avokati i tij Ilir Mustafai tha se Bllako nuk ka patur asnjë ndikim apo rol në vendimmarrjen për inceneratorin e Tiranës dhe se nuk ka patur fuqi të ndërhyjë apo vendosë për projektin.
“Në procedurën e inceneratorit të Tiranës, deri kur është krijuar ideja dhe është bërë kontrata, janë bërë 15 mbledhje dhe 16 procesverbale. Autori kontraktues është ministri dhe anëtarët koncesionit. Janë dy anëtarë të ministrisë së mjedisit, bashkisë e tjerë, Bllako në asnjë rast nuk është emri i tij i përfshirë. Bllako për efekt të punës ka përcjell 3 shkresa. Vendimmarrje me të rëndësishme kanë filluar pas mbledhjes së 11. Vë në dijeni gjykatën se pas mbledhjes 11 e mbrapa nuk ka qenë pjesë e ministrisë, por në Presidencë. Alqi Bllako është si kancelari i gjykatës që merr vendimet dhe ja çon palëve, por kancelari nuk ka përgjegjësi mbi vendimin e gjykatës. Alqi Bllako nuk ka pasur rol vendimmarrës te inceneratori i Tiranës”, tha mbrojtja e Bllakos. Versus.al

