
Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën paraprake për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” ku mes 9 të pandehurve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe grup kriminal në bashkëpunim me zëvendësin e tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Shkak për shtyrjen e seancës u bë një deklaratë e avokatit Ermal Yzeiraj ku ai shprehej se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa e njëjta gjë u pretendua edhe nga vetë Beqaj i cili mungoi në seancën e kaluar duke argumentuar se është sëmurë dhe kërkoi që gjyqi të mos zhvillohej pa të.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet pas dy javësh, ndërsa gjykata e posaçme caktoi Floruan Bonjakun si avokat për Beqajn duke i dhënë edhe kohë të njihet me aktet hetimore.
Nga ana tjetër Beqaj nuk ngurroi të shfaqte refuzimin e tij, duke iu drejtuar avokatit me fjalët: Paske lexuar 50 mijë faqe të dosjes? Hajde më tako në burg.
Aktualisht ish-ministri mbahet në burg për abuzimin me fondet e BE-së gjatë kohës kur drejtonte agjencinë "SASPAC". Ndërsa për aferën e "Sterilizimit", gjykata i kishte caktuar "detyrim paraqitje".
Sa i takon hetimeve për “Sterilizimin”, SPAK thotë se janë përdorur kosto të rreme të shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Për këtë aferë janë marrë të pandehur 9 persona. Versus.al








