
Protestat qytetare që zhvillohen prej më shumë se 32 ditësh në Shqipëri pritet të jenë temë e debatit në Parlamentin Europian në Strasburg.
Kreu i delegacionit të “Lëvizjes 5 Yje” në Parlamentin Evropian, Pasquale Tridico, gjatë një konference për shtyp në Strasburg tha se situata në Shqipëri është propozuar që të përfshihet në agjendën e seancës plenare, që pritet javën e ardhshme në Strasburg, përmes një debati që do të pasohet nga një rezolutë.
“Ky është një debat jo vetëm për Shqipërinë, por mbi të gjitha për një çështje demokratike, dialogu dhe pjesëmarrjeje që duhet hapur me përfaqësuesit e shoqërisë civile”, theksoi Tridico.
Titulli i propozuar i debatit do të jetë ‘Deklaratë e Këshillit dhe Komisionit mbi situatën në Shqipëri: garantimi i dialogut demokratik dhe pjesëmarrjes qytetare’, që do të paraprinte në seancën plenare votimin e një mocioni me të njëjtin titull, i fokusuar në zgjerimin e BE-së, shtetin e së drejtës në Shqipëri.
Propozimi është aktualisht në shqyrtim nga Konferenca e Kryetarëve në Parlamentin Evropian, kur do të merret edhe vendimi për përfshirjen ose jo të debatit në agjendën përfundimtare të seancës plenare.
“Vajzat dhe djemtë në Shqipëri nuk po protestojnë vetëm për një çështje mjedisore, por për shumë më tepër: shtetin e së drejtës, pjesëmarrjen demokratike, të drejtat e shkelura dhe pagat e ulëta”, tha kreu i delegacionit të Lëvizjes Pesë Yje në Parlamentin Evropian, Pasquale Tridico për mediat.
‘Shpresoj, shtoi kreu i delegacionit të M5S, që nëse një ditë BE do ta pranojë Shqipërinë, vendi të flasë me zërin e shoqërisë civile, të njëjtin zë të të rinjve që sot protestojnë për të drejta të shenjta’.Versus.al

