
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar ashpër pas incidentit të ndodhur në Dhërmi, ku një mjet lundrues hyri në perimetrin e sigurisë së plazhit, duke rrezikuar seriozisht jetën e pushuesve.
Në një deklaratë publike, ministri theksoi se do të ketë zero tolerancë për çdo shkelje që cenon sigurinë në vijën bregdetare gjatë sezonit turistik.
“Për ‘trimat’ si ky në Dhërmi, që sfidojnë perimetrin e sigurisë në plazhe dhe rrezikojnë jetën e pushuesve, nuk do të ketë asnjë tolerim. Ta gëzosh gjobën 5 milionë lekë të vjetra dhe provoje përsëri të bësh aventura të tilla,” u shpreh Lamallari.
Sipas tij, Policia e Shtetit do të jetë në monitorim të pandërprerë të gjithë vijës bregdetare, nga veriu në jug, me qëllim parandalimin e çdo shkeljeje dhe garantimin e sigurisë së pushuesve.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Njësia e Posaçme Detare do të kryejë kontrolle të vazhdueshme nga Velipoja deri në Ksamil, duke u fokusuar në identifikimin dhe ndëshkimin e çdo mjeti lundrues që futet në zona të ndaluara apo krijon rrezik për qytetarët.
Ngjarja në Dhërmi vjen si pjesë e rasteve që kanë shtyrë autoritetet të forcojnë masat e sigurisë në det, me kontrolle më të shpeshta dhe ndëshkime më të rrepta gjatë gjithë sezonit veror.

