
Kreu i SPAK, Klodjan Braho, mori pjesë në një takim ndërkombëtar të zhvilluar në Palermo me temë “Bashkëpunimi ligjor ndërkombëtar dhe proceset e integrimit të organizatave kriminale transnacionale: analiza dhe perspektiva pune”.
Aktiviteti, i mbajtur në Pallatin e Drejtësisë në Palermo, iu kushtua kujtimit të Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, dy nga figurat më të njohura të luftës kundër mafias në Itali. Në takim morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të prokurorive dhe institucioneve të drejtësisë nga vende të Europës, Ballkanit Perëndimor dhe Amerikës Latine.
Në fjalën e tij, Braho theksoi se krimi i organizuar transnacional po funksionon gjithnjë e më shumë përmes rrjeteve ndërkufitare, të cilat përshtaten me zhvillimet teknologjike, financiare dhe logjistike. Ai nënvizoi se hetimet moderne duhet të fokusohen në të gjithë zinxhirin kriminal, duke nisur nga organizimi i aktivitetit të paligjshëm, deri te lidhjet ndërkombëtare, pastrimi i parave dhe destinacionet përfundimtare të fitimeve kriminale.
Gjatë diskutimeve, një tjetër pikë e rëndësishme ishte mënyra e trajtimit publik të fenomenit të krimit të organizuar. Braho theksoi se krimi nuk duhet të paragjykohet mbi bazë kombësie, gjuhe apo përkatësie shoqërore, por lufta kundër tij duhet të përqendrohet te individët, strukturat dhe rrjetet konkrete kriminale, duke u mbështetur në prova dhe analiza profesionale.
Sipas SPAK, përballja me krimin e organizuar transnacional kërkon hetime proaktive dhe financiare, shkëmbim të shpejtë informacioni dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me autoritetet homologe ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Prokuroria e Posaçme e konsideron veten një partner aktiv dhe të besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

