Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të zgjasë edhe me dy muaj afatet e hetimit për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur më 27 shkurt 2025 në fshatin Guci e Re.
Sipas vendimit, hetimet do të vijojnë deri më 15 shtator 2026, pasi organi i akuzës vlerëson se mbeten ende veprime hetimore të papërfunduara.
Nga dosja hetimore rezulton se për ngjarjen janë arrestuar Klaudio Lisaj dhe Vasel Koçeku, ndërsa nën hetim ndodhet edhe Aleksandër Koçeku.
Prokuroria dyshon se tre personat kanë bashkëpunuar në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes.
Sipas hetimeve paraprake, motivi i krimit lidhet me përpjekjet e 20-vjeçarit për të krijuar një lidhje me vajzën e Vasel Koçekut, pa pëlqimin e familjes së saj.
Në dokumentet e Prokurorisë thuhet se viktima kishte tatuazh në qafë emrin e vajzës, ndërsa autoritetet dyshojnë se kjo ka qenë shkaku kryesor që çoi në organizimin e krimit.
Organi i akuzës thekson se ende nuk janë administruar të gjitha aktet e ekspertimeve, nuk janë pyetur të gjithë dëshmitarët dhe personat e dyshuar, ndaj është konsideruar e nevojshme zgjatja e afatit të hetimeve për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Pavlin Preka u gjet i vrarë pasditen e 27 shkurtit në oborrin e banesës së tij nga xhaxhai, Nikollë Preka, pasi i riu nuk i ishte përgjigjur telefonatave të familjarëve. Në vendngjarje ai u gjet i pajetë, i qëlluar me armë zjarri, ndërsa policia nisi menjëherë hetimet që vijojnë edhe sot./Versus.al

