AKTUALITET /

VIDEO/ Rrezikuan jetën e pushuesve me Jet Ski dhe gomone, gjobiten dy shtetas

Dy drejtues mjetesh lundruese u ndëshkuan nga Policia Kufitare me gjoba prej 500 mijë dhe 510 mijë lekësh të rinj, pasi lundruan pranë bregut duke rrezikuar pushuesit. Të dy mjetet u bllokuan, ndërsa Policia apelon për respektimin e rregullave të sigurisë në zonat bregdetare.

Shkruar nga Versus
VIDEO/ Rrezikuan jetën e pushuesve me Jet Ski dhe gomone, gjobiten dy
Pamje te publikuara nga Policia

Policia Kufitare e Vlorës ka ndërmarrë masa ndaj dy drejtuesve të mjeteve lundruese, të cilët u konstatuan duke lëvizur në afërsi të bregut dhe duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.

Në një nga rastet, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, identifikuan drejtuesin e një mjeti lundrues tip Jet Ski, i cili po lundronte pranë bregut në plazhin e Semanit.

Për shkeljen e konstatuar, drejtuesi u ndëshkua me gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues u bllokua administrativisht.

Gjatë kontrolleve në zonën e quajtur Plazhi i Hidrovorit, Policia konstatoi edhe një gomone që lëvizte në mënyrë të paligjshme pranë pushuesve.

Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i saj nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues.

Për këtë shkelje, ndaj tij u vendos një masë administrative prej 510 mijë lekë, si dhe u bllokua administrativisht gomonia.

Policia e Shtetit u bën apel të gjithë drejtuesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që ushtrojnë aktivitet në det të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë dhe çdo shkelje do të ndëshkohet me masa të menjëhershme, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve.

Poll