
Nga Blerina Moka
“Unë kam rrahur në gjimnaz një zyshë. E kam rrahur vërtet, sepse më kapi prej bishtaleci, vetëm se po bëja muhabet me shokun e bangës. Jam ngritur menjëherë dhe kam hapur krahun me sa fuqi kisha.”
Klea, sot fizioterapiste në profesion, e tregon me krenari se si në vitin e fundit të gjimnazit u bë e famshme për këtë sjellje.
Ajo rrëfen se më pas drejtoria donte ta përjashtonte nga shkolla, por ndërhyrja e të atit e shpëtoi.
“Babi erdhi në shkollë dhe i kërkoi llogari mësueses pse më kishte prekur me dorë. I tha: ‘Derisa nuk e rrah unë, as mos guxo ti’”, tregon Klea.
Por ky mentalitet nuk shfaqet vetëm në rastin e Kleas. Që në vegjëli, shumë fëmijë edukohen të jenë “të zotët e vetes”, të kundërpërgjigjen me dhunë kur goditen dhe t’u tregojnë prindërve sa herë konfliktohen me bashkëmoshatarët.
Sociologu Gëzim Tushi, i kontaktuar nga “Versus Albania”, e sheh problemin te familja.
I pyetur për rastin e tre vajzave në Fier, të cilat ushtruan dhunë ndaj një bashkëmoshatareje, duke e detyruar të kërkonte falje para kamerës dhe duke publikuar më pas videon, sociologu thotë se kjo tregon degradimin e institucionit të familjes.
“Familja shqiptare sot ka zbehur përgjegjësitë e prindërimit. Prindërit janë bërë gjithnjë e më shumë të fokusuar te interesat materiale, duke lënë në plan të dytë detyrën më të rëndësishme, edukimin e fëmijëve.
Megjithëse ka shumë arsye që ndikojnë në këtë fenomen, deformimi i kësaj hallke të dobët, siç janë adoleshentët, lidhet kryesisht me familjen”, thotë sociologu Gëzim Tushi, i cili nuk përjashton as mungesën e vëmendjes së shkollës në edukimin e tyre.
Sipas tij, kur fëmija hyn në adoleshencë, prindërit duhet të bëhen “prindër për herë të dytë”, për të kuptuar ndryshimet e forta emocionale që kalon një adoleshent dhe gjendjen e çorientimit që sjell kjo fazë e jetës.
“Me adoleshentët duhet folur dhe ata duhen kuptuar. Është e pamundur të sillesh njësoj me ta, kur njeh ndryshimet e mëdha që pësojnë trupi dhe mendja e tyre,” thotë Tushi.
Por çfarë po ndodh sot me adoleshentët shqiptarë?
Të dhënat e ALO 116 111 për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se grupmosha 13–17 vjeç është më e ekspozuara ndaj problematikave sociale dhe emocionale.
Nga dhuna mes bashkëmoshatarëve te bullizmi, konfliktet familjare dhe mendimet vetëvrasëse, adoleshentët po përballen me sfida që kërkojnë ndërhyrje të hershme.
Për periudhën janar–qershor 2026, linja ka regjistruar 3.872 telefonata dhe 270 biseda në Chat, ndërsa janë menaxhuar 232 raste, duke ofruar mbështetje për 287 fëmijë, adoleshentë, të rinj dhe të rritur.
Pjesa më e madhe e problematikave lidhet me moshat e adoleshencës.
Në grupmoshën 13–15 vjeç janë evidentuar 382 kontakte, ndërsa në grupmoshën 16–17 vjeç janë regjistruar 347 kontakte.
Këto shifra e bëjnë adoleshencën periudhën më të ndjeshme, ku konfliktet me bashkëmoshatarët, presioni social, bullizmi, përdorimi i rrjeteve sociale dhe vështirësitë emocionale shfaqen më shpesh.
Sipas të dhënave, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit janë raportuar 18 raste të dhunës ndërmjet fëmijëve, ndërsa 16 raste lidhen me probleme në shkollë, ku përfshihen konfliktet dhe format e bullizmit.
Mentaliteti i "të fortit" në shoqëri
Psikologia Eksena Qirici shprehet se dhuna mes adoleshentëve nuk fillon në momentin e goditjes, por është rezultat i një procesi më të gjatë, ku ndikojnë mënyra e komunikimit, modelet familjare dhe mjedisi social.
“Kur një adoleshent kërkon të fitojë respekt përmes frikës, kemi të bëjmë me një identitet të ndërtuar mbi dominimin dhe jo mbi vlerat”, shpjegon ajo.
“Rasti i Fierit nuk flet vetëm për disa vajza. Ai flet për ne. Flet për një shoqëri ku ende dëgjohet se ‘frika sjell respekt’, ku dhuna shpesh relativizohet si mënyrë edukimi dhe ku kërkojmë përgjegjësi vetëm pasi tragjedia është bërë publike.
Flet për një sistem ku familja, shkolla, shërbimet sociale, policia dhe komuniteti shpesh punojnë të ndarë, ndërkohë që problemet e fëmijëve janë gjithmonë të përbashkëta.
Pas çdo akti të rëndë dhune, reagimi ynë nuk duhet të kufizohet vetëm te dënimi”, thotë psikologia Eksena Qirici për “Versus”.
Shëndeti mendor tek adoleshentët
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, CRCA, në raportin e saj për 6-mujorin e këtij viti thotë se, numri i rasteve me mendime për vetëvrasje mbetet shqetësues.
"Rastet kërkuan ndërhyrje të menjëhershme psikologjike dhe koordinim me institucionet përgjegjëse. Kjo nënvizon domosdoshmërinë e investimit në shërbimet e shëndetit mendor për fëmijët dhe adoleshentët", thuhet në raportin e CRCA-së.
Ekspertët vlerësojnë se bullizmi nuk duhet parë vetëm si një konflikt mes fëmijësh, pasi pas tij mund të fshihen pasoja të rënda emocionale, si izolimi, ulja e vetëvlerësimit, ankthi dhe probleme të shëndetit mendor.
Sipas tyre, po rritet ndjeshëm nevoja e adoleshentëve për mbështetje emocionale.
"Adoleshentët shpesh e shfaqin krizën emocionale përmes sjelljeve agresive, izolimit, konflikteve ose kërkimit të vëmendjes në mënyra të rrezikshme.
Reagimi ndaj dhunës mes adoleshentëve nuk mund të kufizohet vetëm te ndëshkimi i autorëve.
Një sjellje e dhunshme është shpesh një sinjal se një fëmijë ka nevojë për ndërhyrje, mbështetje dhe orientim", thotë psikologia Eksena Qirici.
Ekspertët thonë se familja, shkolla, psikologët dhe institucionet e mbrojtjes së fëmijëve duhet të identifikojnë shenjat e para përpara se një konflikt të shndërrohet në dhunë.
Sepse sipas tyre, pas çdo episodi dhune mes të miturve nuk qëndron vetëm një autor dhe një viktimë. Qëndron një sistem i tërë që duhet të reagojë më herët./Versus.al

