AKTUALITET /

Mes polemikave për financimin dhe masave të rrepta të Policisë, mbahet sot në Tiranë koncerti i Kanye West

Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit ka vendosur masa të posaçme për qarkullimin rrugor

Shkruar nga Versus
Mes polemikave për financimin dhe masave të rrepta të
Kanye West

Tirana pret sot koncertin e artistit me famë botërore Kanye West.

Për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e aktivitetit, Policia e Shtetit ka vendosur masa të posaçme për qarkullimin rrugor në zonën përreth "Eagle Stadium", i ndërtuar në kilometrin e parë të autostradës Tiranë–Durrës.

Kufizimet kanë hyrë në fuqi që prej orës 07:00 të mëngjesit dhe do të vijojnë deri në mesnatë.

Gjatë kësaj periudhe, është ndaluar qarkullimi i automjeteve në rrugën dytësore nga kompleksi "Eiffel" deri te "Casa Italia", ndërsa segmenti do të përdoret vetëm për dalje.

Gjithashtu, nuk lejohet hyrja në korsinë e daljes së autostradës Durrës–Tiranë pranë rrethrrotullimit të "Casa Italia".

Nga ora 12:00 deri në 24:00 do të bllokohen edhe segmentet "Casa Italia" – rruga "Pavarësia" – rruga "Sokrat Miho", ndërsa rrugët "Sokrat Miho", "Kasem Shima" dhe "7 Nëntori" do të funksionojnë vetëm me sens daljeje.

Autoritetet bëjnë të ditur se autostrada Tiranë–Durrës do të mbetet e hapur për qarkullim normal dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të përdorin akset alternative për të shmangur trafikun, pasi priten vonesa të konsiderueshme në hyrje të Tiranës, veçanërisht në zonën nga Ura e Institutit deri te "Casa Italia".

Koncerti do të nisë në orën 20:00, ndërsa hyrja e publikut në stadium është planifikuar nga ora 18:00.

Për transportin e pjesëmarrësve do të përdoren linja të dedikuara autobusësh, si dhe linjat ekzistuese të transportit publik drejt City Park, Tiranës së Re, Kasharit dhe Institutit.

Sipas organizatorëve dhe autoriteteve, në koncert pritet të marrin pjesë mbi 60 mijë spektatorë.

Policia do të jetë e angazhuar gjatë gjithë aktivitetit, me fokus të veçantë menaxhimin e hyrjes dhe sidomos të daljes së publikut pas përfundimit të koncertit.

Ndërkohë, qeveria ka parashikuar një fond prej 4 milionë eurosh për organizimin e eventit, duke argumentuar se ai pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për vendin, të vlerësuara nga 100 deri në 120 milionë euro.

Por ky vendim i qeverisë shqiptare për të financuar me 4.2 milionë euro organizimin e koncertit të artistit amerikan Kanye West në Tiranë ka tërhequr vëmendjen e mediave prestigjioze ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar artikuj debatit që ka shoqëruar këtë vendim.

Media si The New York Times, Reuters, Deutsche Welle, Balkan Insight, Le Monde dhe të tjera kanë raportuar për reagimet e shumta të opinionit publik dhe polemikat politike që ka shkaktuar përdorimi i fondeve publike për këtë aktivitet.

The New York Times thekson se kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin e qeverisë, duke hedhur poshtë kritikat ndaj financimit të koncertit.

Ndërkohë, Reuters i kushton vëmendje deklaratave të kreut të qeverisë, si edhe pakënaqësisë së qytetarëve, duke e lidhur këtë çështje me protestat që po zhvillohen prej javësh në Tiranë.

Sipas raportimeve, protestat që nisën fillimisht kundër projekteve të zhvillimit në bregdet janë zgjeruar me kërkesa të tjera ndaj qeverisë, ndërsa financimi i koncertit është kthyer në një tjetër pikë përplasjeje mes ekzekutivit dhe protestuesve.

Edhe gazeta franceze Le Monde i ka kushtuar hapësirë kësaj çështjeje, duke raportuar se subvencioni prej 4.2 milionë eurosh për koncertin ka nxitur reagime të forta nga aktivistë dhe qytetarë, të cilët e konsiderojnë të pajustifikuar përdorimin e fondeve publike për një aktivitet të tillë./Versus.al

Tags:

kanye west

Poll