AKTUALITET /

Të hënën nis viti i ri shkollor, policia merr masat: Kufizim i qarkullimit dhe heqja e shitësve ambulantë pranë shkollave

Shkruar nga Versus

Të hënën nis viti i ri shkollor, policia merr masat: Kufizim i

Policia e shtetit ka shtuar praninë në shkollat e vendit në prag të vitit të ri shkollor 2025-2026 që nis të hënën më 8 shtator. Drejtori i përgjithshëm Ilir Proda ka urdhëruar që të hartohet një plan i detajuar për sigurinë në shkolla.

Çdo komisariat i policisë do të dërgojë efektivë pranë shkollave 9 vjeçare dhe të mesme për të garantuar sigurinë e nxënësve në çdo moment. Gjithashtu në pozicionimin që do të kenë në akset rrugore, policia do të kryejë kontrolle të vazhdueshme për drejtuesit e automjeteve që transportojnë nxënës.

Masat e përcaktuara për sigurinë e nxënësve:

-Përcaktimin e perimetrit të sigurisë në shkollat e të gjitha niveleve.

-Kufizimin apo ndalimin e parkimit, qëndrimit dhe lëvizjes së automjeteve në segmente rrugore të caktuara pranë shkollave.

-Vendosjen e sinjalistikës përkatëse vertikale dhe horizontale të domosdoshme për disiplinimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.

Po ashtu do të largohen shitësit ambulantë në shkolla duke u kujdesur që të mos ketë tregtim të pijeve alkoolike apo produkte ushqimore të skaduara. Sipas policisë, rreziku është që në këto pika të shitjes të grumbullohen edhe persona me precedentë kriminalë.

“Strukturat vendore të Policisë do vlerësojnë çdo informacion që ka të bëjë me prishjen e rendit publik dhe kryerjen e çdo veprimtarie kriminale në këto institucione, si dhe konfliktet apo mosmarrëveshjet që mund të kenë nxënësit brenda shkollës, fenomenin e bullizmit, si dhe mosmarrëveshjet që mund të kenë me shtetas të tjerë jashtë institucioneve arsimore, me qëllim marrjen e masave të nevojshme për parandalimin e veprave penale, si dhe për identifikimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve”- thuhet mes të tjerash në njoftim.  Versus.al

Poll