AKTUALITET /

Telashe dhe në burg dhe për Safet Gjicin, Gjykata i dërgon zarfin me gjobën 1 milionë lekë

Gjykata ka vendosur se fakti që Gjici ndodhej në qeli nuk përbën arsye justifikuese për mospagimin e gjobës, dhe ka firmosur një urdhër ekzekutiv, duke i hapur rrugën përmbarimit për të bllokuar pasuritë e tij dhe për të kaluar shumën në llogarinë e KQZ-së.

Shkruar nga Versus
Telashe dhe në burg dhe për Safet Gjicin, Gjykata i dërgon zarfin
Safet Gjici

Edhe pse ndodhej në burg për shkak të një video-skandali, ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, nuk i ka shpëtuar “faturave” të vjetra. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndjekur në rrugë ligjore një gjobë prej 100 mijë lekësh të reja që Gjici nuk kishte paguar, duke e paditur atë në Gjykatën Administrative me adresë zyrtare burgun e Durrësit.

Gjykata ka vendosur se fakti që Gjici ndodhej në qeli nuk përbën arsye justifikuese për mospagimin e gjobës, dhe ka firmosur një urdhër ekzekutiv, duke i hapur rrugën përmbarimit për të bllokuar pasuritë e tij dhe për të kaluar shumën në llogarinë e KQZ-së.

Gjobitja daton në maj 2023, kur Gjici, në atë kohë kryebashkiak i Kukësit, u penalizua për përdorimin e burimeve publike në fushatë. Ai u kap në shkelje duke zhvilluar takime elektorale në ambientet e dy shkollave 9-vjeçare. Për të njëjtën çështje, u gjobitën edhe drejtorët e shkollave përkatëse me nga 2500 lekë secili.

Pas arrestimit të tij për një çështje tjetër, Gjici nuk e pagoi gjobën. Në maj të këtij viti, ai kaloi nga burgu në arrest shtëpie, por në qershor Gjykata lëshoi urdhrin për përmbarimin e detyrimit financiar. Megjithatë, vendimi u dërgua në burgun e Durrësit, jo në banesën aktuale të Gjicit, ku ai ndodhej në momentin e ekzekutimit.

Poll