
Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka është paraqitur në SPAK mëngjesin e sotëm.
Burime bëjnë me dije se dyshohet se paraqitja e saj lidhet me hetimet që Prokuroria e Posaçme po kryen prej kohësh për tenderat e ushqimit dhe maskave gjatë periudhës së pandemisë Covid kur Xhaçka ishte ministre e Mbrojtjes.
Bëhet fjalë për tenderin për blerje ushqimesh dhe blerjen e 300 mijë maskave për ushtrinë. SPAK ka dyshime për abuzim sa u takon blerjes së maskave pasi ka zbuluar se tenderi në fjalë është rinegociuar nën argumentin e Xhaçkës se Ministrisë së Mbrojtjes i erdhën asokohe maska dhuratë dhe se nuk donte që të mbeteshin stok.
Ndërsa për tenderin e ushqimeve, denoncimi është bërë nga Partia Demokratike. Më herët Xhaçka është marrë në pyetje lidhur me këto tendera.
Kujtojmë se SPAK nuk nisi hetimet ndaj Xhaçkës lidhur me mënyrën e përfitimit të statusit investitor strategjik të bashkëshortit të saj, Artan Gaçi gjatë kohës që ajo ishte ministre e Jashtme. Ndërsa Gaçi është hetuar më herët për falsifikim të dokumenteve dhe përfitimin e parregullt të tokës në Gjilkë të Himarës. Versus.al

