Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u përfshi në debate të ashpra gjatë seancës së radhës gjyqësore për masakrën e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 persona, përfshirë edhe fëmijë. Konflikti shpërtheu pas kërkesës së tij për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila pranoi si palë familjen Durda, e cila humbi voglin e tyre, Edison.
Në sallën e gjyqit, Mediu sulmoi hapur avokatin e familjes Durda, Dorjan Matlia, duke e akuzuar se paguhet nga Sorosi, pasi drejton qendrën “Respublika”, e ngritur dhe e financuar nga fondacioni i tij.
“Kjo zyrë është ngritur me fondet e Soros, është fakt. Me gjithë respektin për familjarët, në këtë proces nuk mund të ketë dy prokurori,” tha Mediu.
Në përgjigje, Geraldo Durda, djali i familjes, i kërkoi Mediut të lërë mandatin e deputetit dhe të përballet me drejtësinë.
“Ta ka dhënë përgjigjen Gjykata e Strasburgut, lëre mandatin e deputetit dhe përballe me gjykatën,” tha ai në sallë.
Pas këtyre debatave, mbrojtja e Mediut kërkoi përjashtimin e gjyqtares Gjoka me argumentin se nuk pranon kërkesat e tyre me shkrim.
Avokati Henrik Ligori deklaroi: “Këtu është fyer drejtësia, jo vetëm kjo trupë që ndodhet këtu. Është e pamundur të vijojmë procesin duke qenë ai personi aty.”
Mbrojtja e Mediut kërkoi gjithashtu ndërprerjen e procesit deri në marrjen e një vendimi, por gjyqtarja Irena Gjoka iu përgjigj se kjo kërkesë nuk mund të ndalojë seancën.
'Seanca do vijojë, paraqiteni kërkesën me shkrim dhe derisa të shqyrtohet kërkesa nga një tjetër gjyqtar, vijon seanca.'
Ardian Visha argumentoi se sipas Nenit 22 të Kodit të Procedurës Penale, seanca mund të ndërpritet deri sa të shqyrtohet ligjshmëria e kërkesës.
Nga ana e tij, prokurori Klodian Braho kërkoi që gjykata të administrojë prova të reja, përfshirë shkresa të Avokaturës së Shtetit dhe vendimin e Gjykatës së Strasburgut në favor të familjarëve të viktimës, si dhe një vendim të gjykatës administrative.
'I kërkoj gjykatës të administrojë prova të reja që ne i kemi disponuar, shkresa e avokaturës së shtetit si dhe një shkresë tjetër e avokaturës së shtetit, në të cilën ndodhet vendimi i Gjykatës së Strasburgut në favor të familjarëve të viktimës si dhe një vendim i gjykatës administrative.'
Seanca vijon ndërkohë që mbeten të hapura debatet për përjashtimin e gjyqtares dhe kërkesat e mbrojtjes së Mediut./Versus.al
