
Fier- Një avokate dhe një përkthyese janë dërguar për gjykim për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve pasi dyshohet se bashkëpunuan për të manipuluar një divorc.
Hetimet e nisura në vitin 2025, treguan se më datë 29 maj të të njëjtit vit, në gjendjen civile të bashkisë së Fierit u dërgua një vendim i Gjykatës së Apelit i marrë më datë 12 shkurt, ku kërkohej njohja e një vendimi të marrë nga një gjykatë greke.
Vendimi i pretenduar rezultoi se ishte i falsifikuar. Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe adminsitrimit të provave rezultoi që dokumentat e dërguara me anë të shërbimit postar, ishin dërguar nga shtetaset A.K., dhe A.M., të cilat jo vetëm janë paraqitur disa herë në Zyrën e Gjendjes Civile për tu interesuar, por A.M., ka bërë përpjekje që me autoritetin e saj si njohëse e ligjeve të ndikojë në regjistrimin e tyre pranë gjendjes civile.
Përkthyesja A.K., në bashkëpunim me avokaten A.M., ka falsifikuar dhe përdorur të dy vendimet, si atë të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ashtu edhe të gjykatës greke, në mënyrë që të realizohej shkurorëzimi i shtetasit F.H., nëpërmjet një vendimi të falsifikuar të një gjykate të huaj, duke sajuar edhe njohjen e atij vendimi në gjykatën shqiptare, me anë të vendimit të falsifikuar të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në mënyrë që më pas të lidhte martesën ligjore me shtetasin F.H me të cilin ishte dhe në një lidhje intime.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier mbetet e angazhuar për të garantuar veprimtarinë e rregullt të organeve të administratës publike, si dhe të personave privatë në lidhje me hartimin, administrimin dhe lëshimin e dokumenteve, ku përfshihen si aktet zyrtare ashtu edhe ato private. Versus.al

