Itali- Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në komunën e Porcarit, ku 4 anëtarë të një familje shqiptare humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesën e tyre. Të vdekur kanë mbetur dy prindërit babai 48 vjeç, nëna 43 vjeçe si dhe dy fëmijët e tyre, djali 22 vjeçar dhe vajza e mitur, 15 vjeçe.
Sipas mediave italiane, xhaxhai ka shkuar në banesën e viktimave pasi asnjëri prej tyre nuk po i përgjigjej në telefon. Kur ka parë gjendjen, ai ka tentuar t'i zgjojë, por ka rezultuar e kotë. Për pasojë edhe ai po merr ndihmë mjekësore në spital. Dyshohet se rrjedhja e gazit ka ardhur nga kaldaja e cila ishte me defekt.
Edhe dy karabinierët që arritën të parët për të ndërhyrë, pësuan helmim të lehtë. Hetuesit dyshojnë se gazi mund të jetë përhapur në të gjithë shtëpinë dhe anëtarët e familjes e kanë patur të pamundur të reagonin në kohë. Versus.al

