AKTUALITET /

U raportua si vdekje natyrale, Policia zbardh ngjarjen në Durrës: 59-vjeçari u qëllua me grushte

Shkruar nga Versus

U raportua si vdekje natyrale, Policia zbardh ngjarjen në Durrës:

Një ngjarje e rëndë është zbardhur në Durrës, ku një 59-vjeçar, i cili fillimisht u raportua se kishte humbur jetën për shkaqe natyrale, rezulton të jetë viktimë e një konflikti fizik.

Sipas Policisë, në pranga është vënë 42-vjeçari Gentian Kraja, i dyshuar për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.

Nga hetimet rezulton se ngjarja ka ndodhur më 13 prill në lagjen nr. 18, ku pas një sherri për motive të dobëta, 42-vjeçari ka goditur me grushte 59-vjeçarin, Sajmir Markja.

Si pasojë, ky i fundit ka humbur ndjenjat, është rrëzuar në asfalt dhe më pas ka ndërruar jetë.

Fillimisht, rasti u konsiderua si vdekje natyrale për shkak të një arresti kardiak, por pas veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për krimet ndaj personit, nën drejtimin e Prokurorisë, u provua se vdekja nuk ka ardhur nga shkaqe natyrale.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë: 

U dyshua se humbi jetën për shkaqe natyrale, pas kryerjes së veprimeve hetimore, Policia zbardh ngjarjen.

Vihet në pranga një 42-vjeçar, i dyshuar si autor për vrasje nga pakujdesia.

42-vjeçari, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte 59-vjeçarin, i cili ka humbur ndjenjat duke rënë në asfalt, ku më pas ka ndërruar jetë.

Specialistët për hetimin e krimeve ndaj personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në dyshimet e arsyeshme të krijuara pas humbjes së jetës së 59-vjeçarit, shtetasit S.M., ku paraprakisht u dyshua se humbi jetën për shkak të arrestit kardiak, vijuan veprimet për zbardhjen e shkakut të humbjes së jetës.

Pas veprimeve intensive hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi G.K., 42 vjeç, më datë 13.04.2026, në lagjen nr. 18, Durrës, është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin S.M., 59 vjeç, dhe më pas e ka goditur me grushte, si pasojë shtetasi S.M. ka humbur ndjenjat, ka rënë në asfalt dhe më pas ka humbur jetën.

Fillimisht u raportua se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale, por pas dyshimeve të krijuara dhe nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, nën drejtimin e Prokurorisë, rezultoi se ky shtetas nuk ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Në vijim të veprimeve, shtetasi G.K., 42 vjeç, banues në lagjen nr. 18, Durrës, u ndalua për veprën penale “Vrasja nga pakujdesia”.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme./Versus.al

Poll