AKTUALITET /

U tradhëtua nga udhëtimet e bashkëshortes: Si policia italiane ra në gjurmët e Kol Bushpepës

Karriera kriminale e Kol Bushpepës në Venecia kishte nisur në vitin 2009. Në banesën e tij në Mestre u gjetën 70 mijë euro. Pjesën tjetër të fitimeve ai e investonte në bujtina (bed and breakfast).

Shkruar nga Versus

U tradhëtua nga udhëtimet e bashkëshortes: Si policia italiane ra

Mediat italiane kanë zbuluar detaje të plota nga arrestimi i Kol Bushpepës në Tiranë, duke theksuar se operacioni është finalizuar pas një hetimi të gjatë ndërkombëtar dhe bashkëpunimi mes autoriteteve italiane dhe shqiptare.

Sipas raportimeve, ish-i dënuari për trafik droge ishte në arrati që nga viti 2022, kur u zhduk menjëherë pas një dënimi përfundimtar me mbi 5 vite burg për “organizim kriminal” dhe “trafik droge”.

Hetuesit italianë, të Skuadrës Mobile të Venecias, kanë ndjekur për vite me radhë lëvizjet e tij të kujdesshme dhe të përsëritura, pa përdorim telefoni dhe me ndryshime të shpeshta automjetesh.

Po sipas mediave italiane, një rol vendimtar në zbulimin e vendndodhjes së tij e kanë pasur edhe lëvizjet e bashkëshortes së tij, e cila kishte udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë me itinerare të ndryshme dhe masa të rrepta sigurie për të shmangur vëmendjen e autoriteteve.

Këto gjurmë kanë ndihmuar hetuesit të konkludojnë se ai fshihej në Tiranë.

Pas lokalizimit të saktë, autoritetet italiane kërkuan ndërhyrjen e Policisë shqiptare, e cila realizoi arrestimin në kryeqytet, duke i dhënë fund arratisë së tij që kishte zgjatur më shumë se katër vite.

Bushpepa ishte nën hetim prej vitesh në Itali, ku emri i tij u shfaq që në vitin 2009 në dosje të trafikut të drogës në Venecia. Më vonë, në vitin 2012, ai u lidh me një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në veri të Italisë, ku u gjetën sasi të mëdha marijuane, kokainë dhe armë zjarri.

Në vitin 2021, hetuesit italianë e konsideruan si një figurë kyçe të një rrjeti kriminal që trafikonte sasi të mëdha kokaine dhe gjeneronte fitime të mëdha, të cilat dyshohet se janë investuar edhe në biznese të ligjshme si struktura akomoduese.

Në vitin 2022 ai u dënua përfundimisht, por u zhduk para se të fillonte vuajtja e dënimit, duke u shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes Interpol-it deri në arrestimin e tij në Tiranë.

Karriera kriminale e Kol Bushpepës në Itali ka nisur prej shumë vitesh. Emri i tij u shfaq për herë të parë në dosjet hetimore në vitin 2009, gjatë hetimeve për një grup italo-shqiptar të trafikut të drogës në Venecia.

Në vitin 2012, ai u përfshi në një nga sekuestrimet më të mëdha të drogës në veri të Italisë, ku u gjetën 229 kg marijuanë, kokainë dhe armë zjarri. Më pas, në vitin 2021, hetuesit e konsideruan si një nga figurat kyçe të një rrjeti që trafikonte sasi të mëdha kokaine dhe gjeneronte miliona euro fitime.

Në vitin 2022 ai u dënua përfundimisht, por në momentin kur duhej të vuante dënimin, ai u zhduk dhe qëndroi në arrati për më shumë se katër vite, deri në arrestimin e tij në Tiranë./Versus.al

Poll