Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik pas ndarjes nga jeta të 25-vjeçares Xhuana Nikollaj, e cila u gjet pa shenja jete në një banesë në Tirana mëngjesin e 10 marsit 2026.
Rasti, që ka ngritur shumë pikëpyetje mbi rrethanat që çuan në humbjen e jetës së të resë, po hetohet nga autoritetet, ndërsa familjarët kanë reaguar publikisht për herë të parë.
Në një intervistë për emisionin Me Zemër të Hapur, babai i së ndjerës u shpreh se familja nuk kishte dijeni për problemet apo vështirësitë që ajo mund të ketë përjetuar, përfshirë edhe gjatë marrëdhënies me ish-bashkëshortin Eraldo Fizi.
Sipas tij, martesa e vajzës ishte lidhur në qershor të vitit të kaluar dhe përfundoi me divorc në janar, pa konflikte të mëdha, pasi çifti “nuk shkonte”.
Ai shtoi se 25-vjeçarja ishte zhvendosur në Tiranë rreth tre muaj më parë, duke u përpjekur të rindërtonte jetën pranë motrave dhe shoqeve.
“Jemi të vdekur, vetëm marrim frymë. U zhvendos 3 muaj më parë në Tiranë. Lajmin na e dha vajza tjetër, se është në Tiranë. Nuk na ka thënë asgjë për dhunën, s’dinim asgjë. Me Eraldon u martua në qershor të vitit të kaluar. U divorcuan në janar. U ndanë pa ngatërresa, se nuk shkonin. Nuk jam në gjendje me fol, na falni. A do të ngjallet ajo?! Ia kemi lënë në dorë drejtësisë.”, tha ai./Versus.al

