Tiranë- Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për hetim dosjen në ngarkim të 7 të pandehurve sa i takon ngjarjes së rëndë të ndodhur më 1 tetor të 2023-it kur një vogëlush 3 vjeçar ndërroi jetë disa ditë pasi kishte kryer një ndërhyrje dentare në klinikën “Spledent”.
Hetimet kanë dalë në përfundimin se ka patur disa shkelje flagrante gjatë ndërhyrjes tek i mituri Brian Spahiu. Stafi i klinikës nuk ka kryer kontrollet e duhura për të identifikuar saktë gjendjen e pacientit para ndërhyrjes.
Ndërhyrja që është kryer, ka qenë më e gjerë sesa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeçare dhe anestezia e përgjithshme për një periudhë prej 5 orësh për të trajtuar shumë dhëmbë, mes të cilave disa me infeksion të puplës, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.
Gjithashtu i mituri është nxjerrë nga spitali në mënyrë të papërshtatshme duke mos marrë parasysh rreziqet që lidhen me anestezinë. Dy stomatologet Ina Xhaxho dhe Marta Gina kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur, por nuk ishin mbushur. Hetimi zbuloi se stomatologia Ina Xhaxho pas ngjarjes ka vijuar ushtrimin e aktivitetit në mënyrë të paligjshme pasi nuk kishte rinovuar sipas ligjit licensën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.
Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.
Edhe mjekët roje të pediatrisë Vladimir Hoxha dhe Durim Sala nuk zbatuan protokollet mjekësore. Për rrjedhojë moskryerja e veprimeve nga ana e tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit. 3 prej pjesëtarëve të stafit të klinikës, konkretisht Roland Xhaxho, Ina Xhaxho dhe Marta Gina akuzohen për “vrasje nga pakujdesia”. Versus.al

