AKTUALITET /

Veliaj kallëzon "Nesti Angonin" në prokurori: Përdori identitet të rremë, të hetohet për falsifikim dokumentesh

Veliaj thotë se personi që ka përdorur identitetin e rremë, ka firmosur si Nesti Angoni dhe për këtë duhet hetuar për falsifikim dokumentesh.

Shkruar nga Versus

Veliaj kallëzon "Nesti Angonin" në prokurori: Përdori

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dorëzuar një padi në Prokurorinë e Tiranës ku kërkon nisjen e hetimeve për falsifikim të dokumenteve.

Veliaj pretendon se hetimi ndaj tij është nisur mbi bazën e një dokumenti të nënshkruar nga një person i vetëquajtur “Nesti Angoni”, i cili, sipas verifikimeve zyrtare, nuk ekziston në regjistrat e gjendjes civile, thuhet në kallëzim.

“Si bazë për fillimin e procedimit penal ndaj meje ka shërbyer dokumenti “Të dhëna për SPAK”, i hartuar dhe i nënshkruar nga një person i vetëidentifikuar si “Nesti Angoni”. Nga verifikimet e kryera nga vetë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se ky person nuk ekziston në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe për rrjedhojë kemi të bëjmë me një identitet të rremë. Në këtë kontekst, është thelbësore të theksohet se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim në kuptimin klasik të ligjit, por me një dokument të paraqitur në formën e një kallëzimi të identifikuar, përmes përdorimit të një identiteti të rremë konkret, të shoqëruar me nënshkrim fizik”, thuhet mes të tjerash në kallëzim.

Mes të tjerash, Veliaj thotë se me këtë identitet të rremë në bazë të të cilit është nisur hetimi, "Nesti Angoni" ka krijuar paraqitje të pavërtetë në SPAK. 

“Nënshkrimi i vendosur në dokument nuk i përket një personi real, por është përdorur për të materializuar një identitet të rremë, duke krijuar një paraqitje të pavërtetë përpara organit publik. Nëse autori do të kishte dashur të mbetej anonim, ai do të paraqitej si i tillë. Zgjedhja për të përdorur një emër konkret dhe për ta shoqëruar atë me nënshkrim fizik nuk është rastësore, por synon të krijojë një perceptim të rremë identiteti dhe besueshmërie, duke ndikuar drejtpërdrejt në vlerësimin e organit procedues për seriozitetin e informacionit të paraqitur”, thuhet në kallëzim. Versus.al

Poll